Serwer: Kurti s’ka pasur vullnet ta bëjë Asociacionin 

Serwer: Kurti s’ka pasur vullnet ta bëjë Asociacionin 

 Profesori amerikan, Daniel Serwer, dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, në një intervistë në ‘RTKPrime’ ka folur në mënyrë të veçantë për gjendjen në të cilën ndodhet tani dialogu Kosovë-Serbi, që, sipas tij, ka ngecur dhe që nuk ka pasur ndonjë sukses të madh.

Arsyeja e mossuksesit të dialogut, sipas tij, është mungesa e gatishmërisë nga të dyja palët.

“Sipas vështrimit tim, qëllimi i dialogut, normalizimi politik është që ne në anglisht e quajmë një ‘urë tejet të largët’. As Beogradi e as Prishtina, më duket  mua, nuk janë të gatshëm për normalizimin politik”, tha Serwer, derisa shtoi se Beogradi e ka bërë këtë shumë të qartë, bile edhe me shkrim nga kryeministrja e asaj kohe e Serbisë.

Gjithashtu, shtoi Serwer, edhe Prishtina e ka bërë të qartë se njerëzit këtu duan të dëgjojnë kërkim-falje nga Serbia për atë që ka bërë regjimi i Millosheviqit në vitet e ’90-ta.

“Njerëzit në Prishtinë duan njohjen dhe vlerësimin e keqtrajtimeve dhe një lloj kompensimit të një natyre simbolike”, nënvizoi Serwer.

Sa i përket qasjes ndaj dialogut nga kryeministri Kurti, Serwer tha se kryeministri nuk kishte vullnetin ta bënte atë që kanë kërkuar amerikanët dhe evropianët, që është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

“Mendoj se evropianët dhe amerikanët e kanë pasur gabim që të presin që kjo të ndodhë pa pasur atë që quajmë- përgjigje reciproke”, tha Serwer, teksa shtoi se në marrëveshjen e 2013-ës është rënë dakord që Kosova të themelojë Asociacionin, derisa serbët të marrin pjesë në institucionet e Kosovës, por,që, vuri në dukje ai, Serbia të mos e pengojë rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së.

“Të pritet nga Kosova që në mënyrë të njëanshme të bëjë diçka që të mund të kërkohej nga Serbia, pa i dhënë asgjë Kosovës, besoj se ka qenë gabim i madh diplomatik”, tha Serwer.

Ai shtoi se nuk është e arsyeshme që të kërkohet nga kryeministri Kurti të bëjë diçka, derisa  Serbisë nuk i kërkohet asgjë.

Serwer tha më tej se diplomatët amerikanë kanë qenë të zemëruar me kryeministrin Kurti për mosgatishmërinë e themelimit të Asociacionit, ndërkohë që, shtoi ai, ata do të duhej ta dinin se normalizimi i raporteve mes Kosovës e Serbisë është një urë tejet e largët.

Related Articles