Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë zhvilluar bisedime për “stabilitetin strategjik”, një çështje për të cilën të dyja vendet kanë thënë se duhet të bashkëpunohet.
Biseda telefonike u zhvillua mes Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe homologu i tij rus, Sergei Shoigu më 11 gusht.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha se dy zyrtarët diskutuan “transparencën dhe përpjekjet për zvogëlimin e rrezikut pas rifillimit të Dialogut Strategjik të Stabilitetit SHBA-Rusi më 28 korrik”.
Ndërsa, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë në njoftimin e saj për këtë bisedë tha se ajo u përqëndruar në “konsultimet dypalëshe mbi stabilitetin strategjik, si dhe çështjet e sigurisë rajonale dhe globale”.
Në muajin qershor, presidenti amerikan Joe Biden dhe ai rus Vladimir Putin mbajtën një samit në Gjenevë të Zvicrës, gjatë së cilit ranë dakord për të nisur një dialog dypalësh mbi stabilitetin strategjik si dhe për të “vendosur bazat për kontrollin e ardhshëm të armëve”.
Zyrtarë të nivelit më të ulët rusë dhe amerikanë u takuan më 28 korrik në Gjenevë për të çuar përpara këtë agjendë.
Bisedimet e rradhës janë paraparë për në fund të muajit shtator.
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia posedojnë rreth 90 për qind të armëve bërthamore të botës.
Moska ka thënë se dëshiron që Britania e Madhe dhe Franca të bëhen pjesë e bisedimeve më të gjera të kontrollit të armëve bërthamore. Në anën tjetër, SHBA-ja vazhdon të kërkojë përfshirjen e Kinës në negociata.