Administrata Biden ka njoftuar një pako tjetër sigurie prej 100 milionë dollarësh për Ukrainën të enjten e 19 majit, ndërsa presidenti amerikan do të nënshkruajë një projektligj që autorizon miliarda të tjera ndihmë.
“Brenda kësaj pakete do të sigurohen artileri dhe pajisje tjera për Ukrainën, të cilat do të përdoren në mënyrë efektive në fushëbetejë”, ka njoftuar Biden, raportoi CNN-i.
Sipas tij, këto armë dhe pajisje do të shkojnë drejtpërdrejt në vijat e frontit, si dhe do të mbështetet populli ukrainas derisa mbron vendin e tyre kundër agresionit të vazhdueshëm rus.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se ka autorizuar tërheqjen e dhjetë të armëve dhe pajisjeve shtesë për mbrojtjen e Ukrainës nga inventarët e Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, me vlerë deri në 100 milionë dollarë.
“Shtetet e Bashkuara, si dhe më shumë se 40 aleatë dhe vende partnere, po punojnë gjatë gjithë kohës për të përshpejtuar dërgesat e armëve dhe pajisjeve thelbësore për mbrojtjen e Ukrainës”, ka thënë Blinken.
Paketa e fundit e sigurisë është vendosur pasi Bideni ka nënshkruar një projekt-ligj të ri ndihme prej 40 miliardësh.