SHBA-ja kërcënon Bosnjën me sanksione

SHBA-ja kërcënon Bosnjën me sanksione

SHBA-ja, e cila ka ndërmjetësuar marrëveshjen për paqe në Bosnjë-Hercegovinë më 1995, mund të vendosë sanksione kundër subjekteve që përpiqen të tërhiqen në mënyrë të njëanshme nga institucionet shtetërore ose ta destabilizojnë marrëveshjen, tha sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

Udhëheqësi serb i Bosnjës, Milorad Dodik, është duke kërcënuar me ndarjen e Republikës Sërpska, entitet i banuar me shumicë serbe nga pjesa tjetër e Bosnjës.

“Si dëshmitare nënshkruese e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, SHBA-ja përsërit se lëvizjet për t’u tërhequr në mënyrë të njëanshme nga institucionet e nivelit shtetëror ose për të destabilizuar Marrëveshjen, do të përballen me veprime të duhura, përfshirë marrjen në konsideratë të sanksioneve”, tha Blinken në një letër drejtuar anëtarëve të Presidencës trepalëshe të Bosnjës.

Marrëveshja e Dejtonit ka krijuar dy entitete në Bosnje: Federatën Myslimane-Kroate dhe Republikën Sërpska.

Vendi qeveriset dhe administrohet sipas linjave etnike, të përcaktuara nga Marrëveshja, dhe ka një qeveri qendrore, e cila shpesh është jofunksionale.

Dodik, përfaqësuesi serb në Presidencë, ka kërcënuar se do të tërhiqet nga institucionet e nivelit shtetëror, duke përfshirë gjyqësorin, ushtrinë dhe administratën tatimore të Bosnjës.

Ai ka lënë mënjanë shqetësimet e ndërkombëtarëve se një agjendë e tillë mund të shkaktojë konflikt të ri në Bosnjë.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë më herët se “nuk ka asnjë mënyrë kushtetuese” që entiteti me shumicë serbe të tërhiqet njëanshëm nga institucionet kombëtare.

Dodik ka thënë se institucionet nga të cilat dëshiron të largohet, nuk janë përfshirë në Kushtetutën e dalë nga Dejtoni, por janë krijuar përmes amendamenteve.

Duke paraqitur një raport në Këshillin e Sigurimit të OKB-së këtë muaj, përfaqësuesi ndërkombëtar në Bosnjë, Christian Schmidt, ka thënë se konflikti dhe ndarja në Bosnjë “janë shumë reale”.

Sipas tij, veprimet e Dodikut paraqesin “kërcënim ekzistencial” për Marrëveshjen e Dejtonit.

Në letrën e tij, Blinken tha se hapat për të minuar institucionet e Bosnjës, do të rrezikonin jo vetëm perspektivën evropiane të vendit, por do të dëmtonin edhe stabilitetin rajonal dhe ekonominë e brishtë, transmeton Rel, përcjellë Gazeta “Enigma”.

“Shtetet e Bashkuara janë partneri më i fuqishëm i Bosnje e Hercegovinës në adresimin e shqetësimeve të ndarjes së pushtetit”, tha Blinken.

Letra e tij u publikua nga portali në Bosnjë “istraga.ba”. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles