ShBA me mbështetje të parezervë për Kosovën në fushat e trajtimit të të burgosurve me nevoja të veçanta

ShBA me mbështetje të parezervë për Kosovën në fushat e trajtimit të të burgosurve me nevoja të veçanta

Nën mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, delegacioni i Shërbimit Korrektues të Kosovës nga data shtatë janar po qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht në Departamentin e Shtetit, si dhe institucionet e ngjashme të kësaj natyre në Shtetin e Pensilvanisë.

Nga ShKK bëjnë të ditur se sot kanë zhvilluar dy takime të ndara me Drejtorin e Zyrës së Antiterrorizmit për Evropë dhe Azi dhe udhëheqësit e INL-së, ku drejtori Ismail Dibrani shprehu falënderime në emër të delegacionit, për mbështetjen që ka dhënë ShBA-ja në ngritjen e kapaciteteve të vendit tonë në fushën për antiterrorizëm, si dhe ne të gjitha fushat tjera.

“Ai u zotua për vazhdim të bashkëpunimit dhe zbatim të plotë të këtyre projekteve edhe më tutje, duke përfshirë edhe aplikimin e të gjitha të arriturave që kanë bërë burgjet e Shtetit të Pensilvanisë. Këto të arritura delegacioni pati mundësinë që t’i shoh në zbatim së bashku me kolegët amerikanë”, thuhet në njoftimin e ShKK-së.

Ndërsa, drejtori i Departamentit Shëndetësor të Burgjeve, Dr. Milazim Gjocaj, falënderoi Departamentin e Shtetit për mbështetjen e dhënë në funksionalizimin e institucionit për kujdesin shëndetësor për trajtimin e personave me nevoja të veçanta dhe gatishmërinë e shërbimit për zbatim sa më profesional të këtij projekti.

Në vazhdën e kësaj vizite, delegacioni ka vizituar tri institucione të këtij shteti në tri qytetet të ndryshme, ku kanë parë nga afër praktikat më të mira të këtyre institucioneve, të cilat lidhen me trajtimin e personave me nevoja të veçanta, përdoruesve të drogave dhe rasteve me çrregullime mendore.

Related Articles