Spitali i Vushtrrisë ka mbetur me vetëm dy kirurgë dhe pa kujdestari (VIDEO)

Spitali i Vushtrrisë ka mbetur me vetëm dy kirurgë dhe pa kujdestari (VIDEO)

Spitali i Vushtrrisë aktualisht po punon me vetëm dy kirurgë nga pesë sa kishte, deri para pak  ditësh.



Kjo ngase tre profesionistë, A.L, E.S dhe I.Z, të martën e kësaj jave u suspenduan nga puna për shkak të hetimeve, arrestimeve nga prokuroria nën dyshimin për marrje ryshfeti.

Si shkak i kësaj kujdestaritë kanë rënë, mirëpo jo edhe sallat operative, shkruan Klan Kosova.

“Puna operative po vazhdon në pajtim me planin operativ të kirurgëve. Por, kujdestaritë me dy kirurgë është e pamundur të organizohen megjithatë blloku operativ nuk ka rënë”, deklaruan nga menaxhmenti i Spitalit të Vushtrrisë.

Veçse, ky institucion dytësor nuk e di  numrin e saktë të listës së pritjes, ngase këto planifikime janë bërë  nga shefi i repartit,I.Z, tashmë i suspenduar dhe i shkarkuar nga kjo pozitë në spital.

Megjithatë, para zhvillimeve në lidhje me mjekët e spitalit në këtë fillim jave, ky institucion javë më parë kishte ka shpallur konkurs për dy kirurgë.

“Janë duke u zhvilluar procedurat dhe së shpejti përfundon ky proces. Po ashtu edhe nga ShSKUK kemi marr mbështetje për bashkëpunim dhe organizim të punës me kirurgë shtesë”, treguan nga Spitali i Vushtrrisë.

Në këtë spital dytësorë në vitin 2022 janë realizuar 1 mijë e 808 operacione.

Related Articles