Të enjten u bë e ditur se Kosova ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës blerjen e raketave “Javelin”, ku pas kësaj pritet edhe aprovimi nga Kongresi amerikan.
Një informatë të tillë fillimisht u bë i ditur nga ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill i cili në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq e njoftoi këtë të fundit lidhur me kërkesën e Kosovës.
Po të enjten Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh.
Bëhet fjalë për 246 raketa të këtij lloji, që prodhohen nga SHBA-ja, sipas një njoftimi të Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri.
DASH-i tha se më 11 janar administrata amerikane ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave Javelin dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën.
“Departamenti Amerikan i Shtetit shpesh ka vendosur të miratojë shitjen e huaja ushtarake për Ministrinë e Mbrojtjes ës Kosovës, për përdorimin e armëve nga Forcat e Sigurisë së Kosovës”, tha DASH-i.
Shitja e këtyre armëve, sipas DASH-it, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.
SHBA-ja, sipas DASH-it, vazhdon të mbështesë Kosovën në transformimin “transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike për mbrojtje territoriale, të ndërveprueshme me NATO-n, që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile”.
Ndërkaq, nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës thanë se blerja e raketave Javelin është paraparë në kuadër të ngritjes së kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, FSK.
“FSK-ja është duke i ngritur kapacitetet e saj ushtarake, dhe, në këtë aspekt, ekziston një marrëveshje ushtarake e nënshkruar mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që funksionon në kuadër të programit FMS, që blerjet të realizohen nëpërmjet këtij programi. Dhe, në këtë aspekt, janë të përfshirë edhe raketa Javelin dhe disa sisteme të tjera moderne të armatimit”, ka thënë Liridona Gashi, këshilltare politike e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Programi FMS (shitjet e huaja ushtarake) është një program i ushtrisë amerikane për të ofruar ndihmë të sigurisë dhe është një “mjet thelbësor i politikës së jashtme amerikane”, thuhet në ueb-faqen e Agjecisë amerikane për bashkëpunim në siguri. Sipas këtij programi, Qeveria amerikane dhe një qeveri e huaj mund të arrijnë marrëveshje ndërqeveritare, që quhet Letër e Ofertës dhe Pranimit.
Por çfarë janë raktetat anti-tank “Javelin” dhe si funksionojnë?
Sistemi i raketave luftarake Javelin është një sistem raketash taktik i lëvizshëm nga njeriu, me rreze të mesme veprimi që i siguron Ushtrisë Amerikane dhe Trupave Detare efekte precize të zjarrit të drejtpërdrejtë për të mposhtur tanket kryesore të betejës dhe automjetet e tjera të blinduara gjithashtu.
Ky sistem raketor drejtohet automatikisht drejt objektivit pas lëshimit. Ushtarët mund të ripozicionohen menjëherë pas lëshimit dhe mund ta ngarkojnë për gjuajtjen e radhës. Raketa ka aftësi të arrijë shpejtësinë deri në 150 metra në sekondë (540 km/h) pasi të lëshohet.
Një raketë Javelin kushton rreth 180.000 dollarë.
Ushtria amerikane ka prodhuar afro 38 mijë raketa të tilla deri tash. Rreth 20 deri në 25 mijë prej tyre janë përdorur në luftëra apo aksione të ndryshme pjesa tjetër është përdorur për testime.
Blerja e sistemit raketor “Javelin”, Maqedonci: Parashihet të blihen edhe sisteme të tjera armatimi
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave “Javelin”, ku pas kësaj pritet edhe aprovimi nga Kongresi amerikan.
Në lidhje me këtë ka folur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, për Dukagjinin, i cili ka theksuar se përveç sistemit raketor “Javelin”, parashihet të blihen edhe sisteme tjera të armatimit.
“Ministria e Mbrojtjes mbështet Forcën e Sigurisë se Kosovës për t’i ndërtuar kapacitetet e mbrojtjes së territorit në koordinim me partnerët strategjikë, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara te Amerikës, në këtë aspekt Qeveria e Republikës së Kosovës me ShBA-të ka program bashkëpunimi për blerje ushtarake direkt me ShBA përmes programit FMS (Foreign Military Sales)”, tha Maqedonci.
“Në kuadër të këtij programi parashihen blerjet ushtarake, duke përfshirë sistemin raketor antitank “Javelin” por dhe sisteme tjera të armatimit. Për sistemin ‘”avelin’”është dërguar dhe pranuar kërkesa dhe për këtë rast blerje kam diskutuar në Departamentit të Shtetit dhe Departament të Mbrojtjes. Sipas informacioneve publike që keni marrë edhe nga ambasadori Hill, kjo lëndë tashmë është përcjellë për aprovim në Kongres dhe presim vendim pozitiv”, ka thënë Maqedonci, shkruan Telegrafi.
Ndërkaq, ish-atasheu i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Xhavit Gashi, ka thënë se blerja e raketës “Javelin” nuk është vetëm në favor të Ushtrisë së Kosovës, por edhe në favor të SHBA-së dhe NATO-s.