Ministri i punëve të jashtme, Heiko Mass, aktualisht është në takimin me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanin. Megjithatë para pak minutash, Mass ka bërë të ditur arsyjen e vizitës sot në Kosovë.
Kryediplomati gjerman ndërmjet rrjetit të tij social Twitter, ka njoftuar se e gjithë kjo vizitë ndërlidhet me çështjen e procesit të vaksinimit në Ballkanin Perëndimor.
“Askush në Evropë nuk mbetet i paprekur nga suksesi dhe dështimi i fqinjëve të saj. Fakti që tani mund të ndajmë progresin e vaksinimit në BE me vendet e Ballkanit Perëndimor është një moment kyç në luftën kundër virusit. Kjo është arsyeja pse unë jam në Prishtinë dhe Beograd sot dhe nesër”, ka shkruar Mass.
Aktualisht, Kosova është vendi me progresin më të dobët sa i përket vaksinimit, me vetëm 24 mijë dozat e marra nga programi COVAX.
Ndërsa dy ditë më herët është konfirmuar se Kosova do të pranoj rreth 95 mijë doza të vaksinave ndërmjet muajit maj dhe gusht.