Udhëheqësi i Misionit të UNMIK-ut, Peter Due, në raportin e tij gjashtëmujor që prezantoi në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të enjten, ka theksuar nevojën që sulmuesit e Banjskës dhe Ibër-Lepencit të mbahen përgjegjës.
Në raportin e lexuar në fillim të mbledhjes, Due ka thënë se OKB-ja është e gatshme për bashkëpunim me Beogradin dhe Prishtinën që përgjegjësit të mbahen përgjegjës.
Ai ka vlerësuar gjithashtu procesin e zgjedhjeve të dhjetorit në Kosovë, duke theksuar se momentumi është vënë në provë me ngecjen e zgjedhjes së presidentit të ri.
“Le të shpresojmë që dallimet të kapërcehen, të zgjidhet një President i ri dhe të shmangen zgjedhjet e reja legjislative. Kjo do të ndihmonte që institucionet të mbeten të përqendruara në interesin e përgjithshëm publik dhe në nevojat e qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Due ka vlerësuar edhe rikthimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri, duke theksuar se ky hap ishte i rëndësishëm për ri-angazhimin në institucionet lokale, por që procesi ka pasur sfida.
“Në veri të Kosovës, rikthimi i kryetarëve të komunave me shumicë serbe shënoi një hap të rëndësishëm drejt ri-angazhimit në institucionet lokale. Megjithatë, ky proces nuk ka qenë pa sfida. Në takimet e mia të fundit me disa prej këtyre kryetarëve, dëgjova shqetësime lidhur me dorëzimet e pjesshme, boshllëqet administrative dhe barrierat gjuhësore”, ka shtuar ai.
Ai ka theksuar rëndësinë e kontaktit midis nivelit qendror dhe atij lokal në veri, duke vlerësuar progresin e arritur edhe në dialogun e fundit.
“Është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina ta shfrytëzojnë këtë moment, duke avancuar edhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, përfshirë krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Shpresoj që një takim i nivelit të lartë ndërmjet presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti të zhvillohet në një të ardhme të afërt”, deklaroi ai.
Due ka vlerësuar gjithashtu mënyrën se si është gjetur zgjidhja për çështjen e Ligjit për të huajt, duke bërë thirrje për ruajtjen e pavarësisë së gazetarëve.
Ai ka theksuar rëndësinë e zbatimit të ligjeve për gjuhët dhe emërimin e një Komisioneri për Gjuhët, si një element thelbësor për promovimin e përfshirjes dhe garantimin e ushtrimit të plotë të të drejtave për të gjitha komunitetet.
