Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përgëzuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e bllokadës ndaj mallrave serbe.
Ajo e bëri këtë deklaratë gjatë Samitit të Procesit të Berlinit, i mbajtur në Berlin nën drejtimin e kancelarit Olaf Scholz, shkruan Gazeta Enigma.
“Mirëpres marrëveshjen e arritur javën e kaluar në nivel të CEFTA-s. E veçanërisht e mirëpres heqjen e pengesave ndaj eksporteve nga Serbia në Kosovë. Uroj të dyja palët për vullnetin e tyre politik,” deklaroi von der Leyen, duke e cilësuar këtë si një hap konkret drejt normalizimit.
Ajo gjithashtu falënderoi kancelarin gjerman për përpjekjet e tij ndërmjetësuese dhe theksoi rëndësinë e firmosjes së planit të ri të veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal.
Von der Leyen e nënvizoi se konfliktet e fundit e kanë bindur Bashkimin Evropian se “një Union më i madh është një Union më i fuqishëm” dhe se është përgjegjësi e tyre të afrojë vendet aspiruese.
“Për këtë arsye, ne kemi zgjatur masat e solidarizuese për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë ndihmën për energjinë për familjet përmes Pakos sonë Mbështetëse për Energjinë, vlerësuar në 1 miliard euro. Aktualisht po punojmë për ndërtimin e infrastrukturës energjetike, me një plan investimi prej 30 miliardë eurosh,” theksoi ajo.
Për më tepër, von der Leyen shprehu besimin se zgjerimi i Bashkimit Evropian është në agjendën e tyre.
“Kur shohim të ardhmen, shohim të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si pjesë të Bashkimit Evropian. Parakushti i parë është harmonizimi me vlerat tona themelore: respekti për demokracinë dhe sundimin e ligjit, dhe parakushti i dytë është integrimi i hershëm ekonomik,” shtoi ajo.
Presidentja e KE-së theksoi se Procesi i Berlinit është kyç për integrimin ekonomik rajonal dhe kërkoi që Tregu i Përbashkët Rajonal të lidhet me Tregun Unik Evropian, me një plan investimesh prej 6 miliardë eurosh.
Ajo theksoi se për të përfituar nga këto investime, Ballkani Perëndimor duhet të adoptojë reforma./GazetaEnigma/