Manchester Unitedi duhet t’ia paguajë një dëmshpërblim të majmë Ole Gunnar Solskjaerit për prishjen e parakohshme të marrëveshjes.
Unitedi e shkarkoi Solskjaerin nga posti i trajnerit të dielën në mëngjes, pas humbjes turpëruese 4:1 kundër Watfordit të shtunën.
Unitedi konfirmoi se ndihmëstrajneri i Solskjaer, Michael Carrick, do të jetë në krye të ekipit përkohësisht, derisa klubi ta emërojë një trajner të përhershëm.
Në korrik Solskjaeri kishte nënshkruar marrëveshje të re me kohëzgjatje deri në vitin 2024, por u shkarkua pasi i humbi pesë prej shtatë ndeshjeve të fundit në Premierligë.
Sipas mediave britanike, palët u pajtuan për një marrëveshje dëmshpërblimi prej 9 milionë eurove për prishjen e parakohshme të kontratës.
Duke folur në një intervistë për klubin pas shkarkimit, Solskjaer kishte thënë: “E kam pasur një mundësi e cila nuk është për të gjithë. Ndihemi i nderuar dhe i privilegjuar që mua ma besuan detyrën për ta çuar përpara klubin”.
“Vërtet shpresoj se po e lë klubin në gjendje më të mirë seç ishte kur erdha unë. Tifozët kanë qenë të mahnitshëm. Nga dita e parë në Cardiff deri tani, do të shihemi sërish”.
Solskjaer e la Unitedin në vendin e tetë në Premierligë me 17 pikë nga 13 ndeshje, 12 pikë larg liderit Chelsea.