Zëdhënësi i shtabit të KFOR-it, kolonel Andrea Gallieni, ka folur për zhvillimet e fundit në veri të vendit duke theksuar se nuk kanë afat se sa do të qëndrojnë në komunat veriore.
Sipas tij, derisa të ketë situatë të tillë në veri, do të jenë të pranishëm trupat e KFOR-it.
Në një konferencë për media, i pyetur nëse KFOR-i do të marrë nën kontroll veriun ai ka mohuar një gjë të tillë.
Ai ka theksuar se më 29 maj ushtarët e KFOR-it janë përfshirë në një protestë dhunshme dje sipas tij ishte e qartë se aty kishte grupe kriminale që tentonin t’i sulmonin trupat paqeruajtëse.
“KFOR-i ishte aty për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të protestës dhe më 29 maj u shfaq një protestë e madhe. Ushtarët e KFOR-it u përfshinë në një protestë të dhunshme. Gjatë protestës, shumë ushtarë të KFOR-it u plagosën nga gurët, mjetet shpërthyese të improvizuara dhe armët. Ishte e qartë se ku njerëzit përpiqeshin të manifestoheshin dhe të protestonin në mënyrë paqësore, por ishte gjithashtu e qartë se pas tyre fshiheshin disa grupe kriminale që tentonin të sulmonin trupat e KFOR-it”, ka thënë ai.
Në një konferencë për media ai ka thënë se ushtarët e lënduar nuk janë në rrezik për jetë.
“Shumë ushtarë të kontingjentit italian-hungarez u plagosën. Në fillim ishin 11 nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez. Në ditët në vijim u shfaqën më shumë me lëndime të lehta. Këto lëndime nuk ishin kërcënim për jetën dhe pasi ata u rikuperuan tani ata janë eksportuar përsëri në vendet e tyre për të marrë trajtimin mjekësor”, ka shtuar ai.