Shkreta: Po sulmohem padrejtësisht nga disa qarqe

Shkreta: Po sulmohem padrejtësisht nga disa qarqe

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, është deklaruar rreth raportimit të tij në Polici për vjedhjen e 50 mijë eurove në banesën e tij më 23 qershor, për çka ka thënë se po ndihet i sulmuar nga disa qarqe, të cilat nuk i ka specifikuar.

“Ashtu siç e thotë ligji, njoftuam organet e policisë dhe të drejtësisë dhe, konform kërkesave të tyre, ofruam bashkëpunim pa bërë prononcime publike, në mënyrë që këto organe të bëjnë punën e tyre të pavarur në drejtim të kapjes sa më të shpejtë të keqbërësve. Por e njëjta nuk u respektua nga disa qarqe, të cilët, përveç që po na sulmojnë padrejtësisht, po kujdesen që të mos flitet për vjedhjen dhe aktin e rëndë të rrezikimit të sigurisë së një familje me dy fëmijë të vegjël”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka thënë se ka njoftuar organet e Policisë dhe konform kërkesave të tyre, teksa ka shtuar se ky rast nuk ka të bëjë asgjë me deklarimin e pasurisë së tij, teksa pretendon se këtë obligim e ka përmbushur sipas ligjit dhe se është duke u sulmuar padrejtësisht.

Shkreta, në deklarimin e të cilit nuk figurojnë mjetet financiare që pretendon se iu kanë vjedhur, ka thënë se deklarimin e tyre do ta bëjë në mars të vitit 2023.

“Vetëm që 1 vit e gjysmë kam marrë detyrën e deputetit, asnjëherë nuk kam pasur pozita ekzekutive dhe i kam përmbushur sipas ligjit të gjitha obligimet e mia në lidhje me deklarimin e pasurisë. Të njëjtën do ta bëj edhe për deklarimin e këtij viti në mars të vitit 2023, ashtu siç thotë ligji”, ka shkruar ai.

Related Articles