“Shkurt thuaji, mos filozofo”: Gjykatësi i Speciales zbulon mesazhet që Thaçi i dha Fazliut për dëshmitarin Rrustem Mustafa

“Shkurt thuaji, mos filozofo”: Gjykatësi i Speciales zbulon mesazhet që Thaçi i dha Fazliut për dëshmitarin Rrustem Mustafa

Gjykatësi i Dhomave të Specializuara në Hagë, Christopher Gosnell, ka dhënë detaje nga aktakuza që ngarkon ish-presidentin Hashim Thaçi dhe Fadil Fazliun për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.

Sipas gjykatësit Gosnell, akuzat lidhen me një vizitë që Fazliu kishte zhvilluar te Thaçi në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, më 2 korrik 2023. Gjatë këtij takimi, të dy kishin diskutuar gjerësisht rreth dëshmisë që pritej të jepte ish-komandanti Rrustem Mustafa.

Gjykatësi bëri të ditur se Thaçi e kishte cilësuar Mustafën si një dëshmitar vendimtar dhe i kishte dhënë Fazliut mesazhe konkrete për t’ia përcjellë atij.

“Shkurt thuaji, shkurt”, “Mos filozofo” dhe “Thuaj kam besim në ty shumë”, janë disa nga porositë që, sipas gjykatësit, Thaçi i ka dhënë Fazliut gjatë vizitës.

Përveç akuzave për tentativë të pengimit të drejtësisë, ish-presidenti Thaçi ngarkohet edhe me veprën e zbulimit të informacioneve konfidenciale, ndërsa Fadil Fazliu akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të mosbindjes ndaj gjykatës.

Personat e arrestuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Related Articles