Ally McCoist, legjenda e klubit Rangers ka “shpërthyer” ndaj FIFA-s për trajtimin e Rusisë në mes të pushtimit të Ukrainës.
Organi drejtues i futbollit nuk i ndaloi rusët të luajnë dhe kanë vendosur të njëjtat sanksione si IOC, duke i detyruar ata të konkurrojnë si Unioni i Futbollit të Rusisë. Ata nuk do të veshin ngjyrat e tyre të zakonshme, nuk do të luajnë nën flamurin rus, nuk do të lëshohet himni para ndeshjes dhe nuk do të kenë tifozë në ndonjë nga lojërat e tyre.
Pavarësisht kësaj, Polonia, Suedia dhe Republika Çeke kanë refuzuar t’i luajnë në ndeshjet e tyre në play-off ndaj Rusisë.
McCoist mendon se FIFA duhet ta kishte paraprirë këtë duke i përjashtuar nga të gjitha garat.
“Kjo më nervozon. Me të vërtetë më nervozon. Unioni i Futbollit të Rusisë? Duhet të jetë F*U Rusia”, tha fillimisht McCoist për TalkSport.
“Është absolutisht e turpshme. Gianni Infantino duhet të mbajë kokën nga turpi.”
“FIFA duhet të bëjë një deklaratë se Rusia nuk është më e mirëpritur apo e përfshirë në asnjë turne futbolli në të gjithë botën derisa kjo krizë të zgjidhet”.“Vendet duhet të dalin – Polonia, Suedia, Anglia. Ky vendim duhet të merret nga duart e tyre”, përfundoi ai.