Shpërthimet në zyrat e KQZ-së në veri – Policia del me raport

Shpërthimet në zyrat e KQZ-së në veri – Policia del me raport

Policia e Kosovës ka dalë me tre raporte të ndryshme pas shpërthimeve të njëpasnjëshme gjatë së martës në veri të vendit.

Policia ka njoftuar se fillimisht në orën 12:30 në Zubin Potok dje pasi zyrtarët e KQZ-së kanë shkuar në objektin e këtij institucioni atje janë dëgjuar shpërthime.

“Zubin Potok 06.12-2022 – 12:30. Raportohet se zyrtarët e KQZ-se kanë shkuar në zyrat e KQZ-së dhe pasi që kanë hyrë në brendësi të objektit janë dëgjuar shpërthime. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti është duke u hetuar”, njofton Policia.

Tutje bëhet e ditur se në orën 14:35 edhe zë zyrën e KQZ-së në Mitrovicë të veriut kanë ndodhur disa shpërthime pas arritjes së zyrtarëve të KQZ-së atje.

“Mitrovicë Veri 06.12.2022 – 14:35. Raportohet se në zyrën e KQZ-së kanë shkuar anëtarët e KQZ-së nën përcjelljen e policisë dhe aty kanë vërejtur se zyra e KQZ-së ishte e mbyllur me një dry. Janë dëgjuar shpërthime dhe të shtëna të armëve të ndryshme. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti është duke u hetuar nga njësitet policore”, njofton Policia.

Ndërkohë që në mesnatë shpërthimi sipas Policisë ka ndodhur brenda zyrave të KQZ-së në veri të Mitrovicës.

“Mitrovicë Veri 06.12.2022 – 00:00. Raportohet se në zyrën e KQZ-së ka ndodhur një shpërthim. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për persona të lënduar. Rasti është duke u hetuar”, bëhet e ditur në njoftim.

Kujtojmë se në Zveçan dhe Leposaviq – që të gjitha të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës – pritet të mbahen zgjedhjet për kryetarë, më 18 dhjetor.

Lidhur me këto shpërthime sot ka reaguar shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.

Wigemark, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se EULEX do të vazhdojë të monitorojë situatën në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in

“Të shqetësuar për incidentet e djeshme në veri të Kosovës. Çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe të gjithë duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur”.

“EULEX do të vazhdojë të monitorojë situatën në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe NATO-KFOR-in”, ka shkruar Wiemark.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “grupe të organizuara, me disa individë të maskuar” i sulmuan zyrtarët zgjedhorë dhe policët “me shok bomba dhe të shtëna në ajër”.

Ai tha se aktet që kanë qëllim pengimin e procesit zgjedhor, janë të papranueshme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në veri do të ketë shtim të pranisë policore. Sipas tij, sulmet atje po kryhen nga “banda kriminale”, të cilat “paguhen dhe dirigjohen nga Serbia”.

Komunat në veri të Kosovës janë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit.

Ata dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.

Bazuar në Ligjin për zgjedhjet, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli më pas 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve atje.

Related Articles