Shqetësuese, mbi 30 sulme ndaj policëve vetëm në tre mujorin e parë të këtij viti

Shqetësuese, mbi 30 sulme ndaj policëve vetëm në tre mujorin e parë të këtij viti

Policia e Kosovës nga fillimi i këtij viti janë sulmuar në forma të ndryshme, rastet më specifike janë në veri të vendit, shkruan Gazeta Enigma.



33 raste të dhunës ndaj personave zyrtarë janë raportuar në tre mujorin e parë të këtij viti ka konfirmuar Policia e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Enigma.

“Bazuar në të dhënat e PK-së, për rastet e raportuara për tre mujorin e pare te viti 2022 janë si në vijim: sulm ndaj personave zyrtar – 33 raste te raportuara”, thuhet në përgjigjen e PK-së për Gazetën Enigma.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se sulmet ndaj zyrtarëve policorë tregojnë që brenda shoqërisë në Kosovë ka tendencë për përshkallëzim qëndrueshmërisë ekonomike dhe sociale.

“Dhuna dhe sulmet kundër zyrtarëve policorë po tregon që brenda shoqërisë ka tendencë të përshkallëzimit të qëndrueshmërisë ekonomike dhe sociale, e cila po reflekton në sigurinë e përgjithshme të Kosovës”,  thotë Drizan Shala për Gazetën Enigma.  

Shala thotë se “Kriza ekonomike si faktor determinues po jep impakt në rritjen e kriminalitet dhe që po manifestohet me sulmet kundër zyrtarëve policorë”, ka theksuar Shala.

Eksperti i Sigurisë, Drizan Shala

Sipas tij policia duhet sa më shpejtë të sigurojë kamera të trupit që në këto raste të kenë edhe prova kundër personave që shkaktojnë vepra penale.

“Institucionet e sigurisë duhet që me çdo kusht të marrin veprime preventive për zyrtaret policor duke i  furnizuar me kamera të trupit të cilat do ndihmonin në marrjen e provave më të lehta penale kundër personave që shkaktojnë veprën penale”, ka thënë Shala për Enigmën.

Kujtojmë se ditëve të fundit ka pasur edhe sulme të tjera ndaj policisë, në përjashtim të atyre rasteve më të shpeshta që kanë ndodhur në veri të Mitrovicës.

Rasti më i freskët është ai në pikën kufitare në Vërmicë, ku një zyrtarë doganor është sulmuar me thikë nga një shofer i kamionit.

Incidenti ka ndodhur të dielën e 8 majit në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri, në Vërmicë.

Pamje nga sulmi në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri, në Vërmicë

Atë ditë u raportua se shoferi i një kamioni i është vërsulur me thikë doganierit, ku më pas ka ndërhyrë policia.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00, dhe lidhur me rastin policia ka arrestuar personin në fjalë.

“Shoferi i një kamioni ka nxjerr një thikë duke sulmuar personat zyrtarë ku më pas kishte intervenuar edhe policia. Në këtë rast në vetëmbrojtje, zyrtari doganor kishe marr një lopatë ku edhe tenton ta godas”, ka thënë një dëshmitar./Gazeta Enigma/

Related Articles