Një fenomen shqetësues po përsëritet te Ujvara e Mirushës, ku persona të dyshuar për vjedhje po thyejnë veturat e vizitorëve dhe po marrin gjësende me vlerë nga brenda tyre, raporton Gazeta Enigma.
Një mërgimtar nga Gjermania, Valon Mehmeti, ka bërë të ditur në grupin “Merakli t’kerreve” se vetura e tij, një Mercedes C-Class, është thyer gjatë qëndrimit te Ujvara e Mirushës.
Sipas tij, nga vetura i janë vjedhur një telefon iPhone dhe një shumë parash.
Mehmeti ka pretenduar se rasti nuk është i izoluar, duke thënë se persona të njëjtë dyshohet se kanë kryer edhe raste të tjera të ngjashme brenda ditës.
Ai ka bërë të ditur se Policia e Kosovës është në dijeni për rastet dhe është në kërkim të personave të dyshuar.
Ndërkohë, në komentet e publikimit, edhe persona të tjerë kanë treguar se kanë pasur përvoja të ngjashme.
Gent Haziri ka shkruar se edhe atij i është tentuar t’i thyhet vetura në të njëjtin lokacion, para rreth dy javësh.
“Edhe mua kanë tentu me ma thy veturën tek Ujvara e Mirushës, para dy javë. Fatmirësisht nuk kanë arrit me hy brenda!”, ka komentuar Haziri.
Rastet e tilla ngrenë shqetësime për sigurinë e vizitorëve dhe automjeteve në një prej pikave turistike më të frekuentuara në Kosovë.

