Një proces divorci i nisur prej muajit dhjetor të 2020 në Gjykatën e Tiranës mes çiftit Saliaj ka përfunduar tragjikisht këtë të premte në zonën e ish-Ekspozitës në kryeqytet.
Vetëm 10 minuta përpara seancës së radhës, Kudret Saliaj është ekzekutuar nga vjehrri i tij, Mexhit Picari që e ka qëlluar 41-vjeçarin me 8 plumba.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e një bar kafeje pranë Gjykatës së Tiranës ku Kudret Saliaj në momentin kur është qëlluar ka qenë nën shoqërinë e avokatit, Adriatik Cama, i cili mbeti i plagosur por pa pasoja për jetën.
Vetëm pak orë ka zgjatur arratia e 51-vjeçarit, Picari i cili pas arrestimit ka deklaruar në polici se aktin e rëndë e ka ndërmarrë për të vënë në vend nderin e vajzës.
“Bashkëshortja e vet ka qenë e arrestuar për dhunë në familje dhe po bëheshin seancat për divorc. Në këto kushte, babai i vajzës ka goditur ish-dhëndrin e vet”, deklaroi Rebani Jaupaj, kreu i Policisë Tiranë.
Kudret Saliaj prej muajsh kishte kërkuar divorcin nga bashkëshortja e tij pas akuzave se kjo e fundit dhunonte 3 fëmijët e mitur të çiftit. Lidhur me ngjarjen e rëndë dhe zbardhjen e plotë të saj, grupi hetimor ka sekuestruara pamjet filmike të kamerave në zonë ndërsa ka marrë në pyetje dhjetëra persona të pranishëm në momentin e vrasjes, të afërm të familjes si edhe gjyqtaren e Tiranës, Irena Plaku që po shqyrtonte çështjen e divorcit mes çiftit Saliaj./Euronews/