Shqiptarët e Maqedonisë optimistë para ndeshjes me Portugalinë

Shqiptarët e Maqedonisë optimistë para ndeshjes me Portugalinë


Futbollistët shqiptarë kanë dhënë kontribut të madh në suksesin e jashtëzakonshëm të Maqedonisë së Veriut. Të enjten mbrëma në Palermo, Maqedonia e Veriut fitoi 1:0 ndaj Italisë dhe kështu bëri vend në finale të plejofit për kualifikim në Botërorin 2022. Të martën Maqedonia e Veriut luan ndaj Portugalisë në Porto.

Visar Musliu është vlerësuar lojtari i dytë më i mirë i ndeshjeve gjysmëfinale, në bazë të të dhënave statistikore. Ai kompletoi ndeshjen në qendër të mbrojtjes. Kontribut kanë dhënë edhe Ezgjan Alioski në krahun e majtë, si dhe Arijan Ademi e Enis Bardhi në mesfushë.

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut të premten është kthyer në Shkup.

“Ishte vështirë në Palermo, por kemi besuar në ekipin tonë, në potencialin që kemi. Tani na pret një sfidë tjetër e vështirë, përballemi me Portugalinë. Ne e dimë se kush jemi dhe çka mund të bëjmë. Ne tashmë kemi mposhtur Gjermaninë dhe Italinë. Është mëkat që me fitoret brenda nja viti ndaj këtyre dy gjigantëve ende nuk jemi në Botëror. E kemi të qartë se sa vështirë do të jetë për ne në Porto. Por si në të kaluarën, të gjithë së bashku do të japim më të mirën dhe do të mundohemi ta bëjmë Maqedoninë të lumtur”, ka thënë Alioski të premten.

Arijan Ademi ka thënë se festa ka përfunduar menjëherë dhe se tani fillojnë përgatitjet për ndeshjen në Porto.

“Ndeshja me Portugalinë është para nesh. E dimë se çka na pret në Porto dhe jemi maksimalisht të fokusuar”, ka thënë Ademi.

Maqedonia V. u paraqit në Evropianin e vitit të kaluar, ndërsa rrugës e kishte kaluar Kosovën. Më pas e mposhti Gjermaninë dhe tani e la jashtë Botërorit përfaqësuesen e Italisë. Suksesi kulmor i Maqedonisë së Veriut është arritur në kohën kur në krye të federatës së futbollit të këtij vendi është shqiptari Muhamed Sejdini. Madje, klubet shqiptare janë kryesoret në kampionatin e Maqedonisë së Veriut.

Related Articles