Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) është takuar me kongresistin amerikan Gregory Meeks, me të cilin ka diskutuar për Kosovën, Shqipërinë dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
Sipas Këshillit, në takim u riafirmua rëndësia e marrdhënieve strategjike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si dhe mbështetja për integrimin evropian të Tiranës.
Sa i përket Kosovës, Meeks theksoi rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve të forta me ShBA-në dhe avancimit të integrimit euroatlantik të vendit.
Ai gjithashtu vuri në pah nevojën që Serbia të ndryshojë qasjen ndaj shqiptarëve në Serbi, duke kërkuar respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Gjatë takimit u diskutua edhe për forcimin e Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin amerikan dhe rritjen e vëmendjes ndaj rajonit.
Një tjetër temë ishte mundësia e organizimit të një delegacioni dypartiak të Kongresit amerikan në Ballkanin Perëndimor.
Meeks rikujtoi angazhimin e tij për Kosovën që nga administrata e presidentit Bill Clinton dhe përpjekjet amerikane për të ndalur spastrimin etnik.
Në takim u diskutua edhe për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku kongresisti shprehu mendimin se procedurat duhej të rishqyrtoheshin dhe të merrej në konsideratë një rezultat që mund të kishte çuar në lirimin e katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Takimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve të AARC-së për të forcuar bashkëpunimin me përfaqësuesit politikë amerikanë dhe për të avancuar çështjet shqiptare në Uashington.
