Raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, ka thënë se Kosova është demokraci funksionale parlamentare me garanci të forta për pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejta themelore të njeriut. Në seancën e Asamblesë Parlamentare të KiE-së ku po diskutohet lidhur me raportin për anëtarësimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë, Bakoyannis ka theksuar se zgjerimi i juridiksionit të Gjykatës Evropiane do të kontribuonte në të drejtat e njeriut.
Ajo ka përmendur tri çështje që i ka konsideruar më problematike për t’u zgjidhur, atë për Manastirin e Deçanit, shpronësimin dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Kam identifikuar tri çështje të mbetura, ku ka qenë i nevojshëm veprimi i menjëhershëm. Implementimi i aktgjykimit për Manastirin e Deçanit, shpronësimi i ligjshëm i pronave të pakicës serbe dhe themelimi i Asociacionit. Gjatë angazhimit tim në këtë dosje të gjitha palët shtetërore më kanë paralajmëruar se nuk mund të pritet ndonjë progres në asnjë prej këtyre çështjeve të përmendura. Por, me një punë persistente progresi real është vërejtur. Asambleja Parlamentare kas arritur ta zgjidhë atë që është identifikuar një prej rasteve më të rëndësishme të shkeljeve të së drejtës, implementimi i vendimit të Kushtetueses që do t’i kthente pronën Manastirit”, ka thënë ajo.
Bakoyannis është shprehur optimiste se Asambleja do ta rekomandoj që Kosova të ftohet të bëhet anëtare.
“Në bazë të faktorëve të përmendur, mendim i imi është që Asambleja Parlamentare do të rekomandoj Komitetit të Ministrave që të ftoj Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Shpresoj që sot Asambleja do ta nënvizoj nevojën për ta sjellë në ombrellën demokratike të Këshillit të Evropës, dy milionë evropianë të tjerë për t’i mbrojtur ata nga shkeljet”.
Ajo ka ftuar shtetet që e kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës, të qëndrojnë anash dhe të mos e shohin këtë çështje si çështje të shtetësisë.
“Që nga publikimi i raportit, kam pranuar kritika të ashpra madje sulme personale në kuptimin e asaj sie kam trajtuar këtë. Këto kritika janë bërë nga përfaqësuesit e shteteve anëtare që nuk e njohin Kosovën, por do dëshiroja kurajon që të jenë të sinqertë sepse kjo çështje nuk ka qenë asnjëherë se çfarë kushte t’i vendosen Kosovës. Kundërshtimet e tyre nuk kanë të bëjnë me kriteret e anëtarësimit, ata kundërshtojnë vetë idenë e shtetësisë së Kosovës. Do ishte më guximtare po të kishin vendosur të qëndronin anash. Raporti nuk paraqet raporte sa i përket shtetësisë”.
Iulian Bulai, anëtar nga Rumania, ka thënë se pret që Kosova të përmbushë obligimet që vijnë me anëtarësimin në KiE, ndërkohë që shprehu përkrahjen për anëtarësim.
“Ne po mbrojmë të drejtat e individëve, jo të shteteve dhe etnive. Vendimi i sotëm do të thotë më shumë të drejta për mbi 1.6 milionë njerëz”, ka thënë ai duke shtuar se Kosova meriton të pranohet në KiE.
Në fund të diskutimit pritet edhe votimi i raportit.