Policia rreth orës 12:00, ka arrestuar një person dhe ka sekuestruar një armë, raporton Gazeta Enigma.
Këtë e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Në kuadër të punës së shkëlqyer parandaluese që po bën policia e rajonit të Prishtinës, me pikësynim të veçantë, gjetjen e armëve dhe municioneve, dukuri kjo që kohëve të fundit ka qenë ndër prioritetet për tu luftuar nga ana e policisë së rajonit të Prishtinës, sot rreth orës 12:00, ka arrestuar një person dhe ka sekuestruar një armë”, tha Borovci.
Ai njoftoi se ngjarja ka ndodhur në fshatin Llukar të Prishtinës, ku një person shtiu me armë zjarri në një aheng familjar dhe më pastaj u arrestua nga policia dhe iu sekuestrua arma e disa fishekë.
“Marrja e informatave në rrugë operative se në fshatin Llukarë të Prishtinës, një i dyshuar kishte shtënë me armë zjarri në një aheng familjar, ka rezultuar me angazhim specifik policor me ç’ rast është arrestuar i dyshuari; B. G, mashkull 33 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe pas një kontrolli të detajuar, policia ka arritur të gjejë dhe sekuestroj: Një revole të tipit TT, kalibër 7.62 mm, si dhe, Njëzetepesë copë fishek, kalibër 7.62 mm”, njoftoi Borovci.
Ndaj të dyshuarit me aktvendim të prokurorit të shtetit është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për veprat “ Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” për t’u proceduar më tej në procedurë.
“Ju sigurojmë që të gjitha nivelet e policisë në kuadër të drejtorisë rajoniale të Prishtinës, me përkushtim të lartë po kryejnë detyrat zyrtare me qëllim të garantimit dhe ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe parandalimit të akteve kriminale krejt kjo me qëllim të krijimit të rrethanave të sigurta për të gjithë qytetarët e vendit”, përfundoi ai./Gazeta Enigma/