Një valë vape, e cila i ka thyer rekordet e të gjitha kohëve për temperatura të larta në perëndim të Kanadasë dhe në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara, ka lënë dhjetëra të vdekur në këto dy shtete. Zyrtarët po përgatiten për më shumë ditë të nxehta dhe për rrezikun nga zjarret në natyrë.
Pjesa më e rëndë e vapës kaloi të mërkurën, por shteti i Oregonit në ShBA raportoi 63 vdekje të lidhura me vapën. Vetëm rajoni Multnomah shënoi 45 viktima nga e premtja, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Në një deklaratë të autoriteteve shëndetësore thuhet se në tërë shtetin e Oregonit, sa për krahasim, nga viti 2017 deri më 2019 janë regjistruar vetëm 12 të vdekur nga hipertermia, që lidhet me motin e nxehtë.
Në rajonin e Kolumbisë Britanike në Kanada, 486 vdekje të papritura u shënuan për vetëm pesë ditë, që është gati trefishi i shifrës së rëndomtë për këtë periudhë.
Vala e vapës, e cila u shkaktua nga një fenomen që e sjell ajrin e nxehtë dhe i bllokon sistemet tjera të ajrit që të depërtojnë, u dobësua përderisa vazhdoi drejt lindjes, por ishte mjaftueshëm e fortë sa për të shënuar rekorde nga Alberta deri në Manitoba, tha David Phillips, meteorolog kanadez.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ndërpreu një fjalim për t’i përkujtuar të vdekurit të mërkurën në Otavë dhe shprehu shqetësim për rrezikun nga zjarret. “Po shohim gjithnjë e më shumë këso moti në vitet e fundit. Realisht, ne e dimë se kjo valë e vapës nuk do të jetë e fundit”, tha ai.