Skuadra e Llapit ka barazuar 1:1 me Ballkanin të dielën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, dhe e ka shtyrë festën e suharekasve.
Ndeshja i takoi xhiros së 32-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Skuadra e Ballkanti kaloi e para në epërsi në minutën e 15-të me golin që e shënoi Ermal Krasniqi. Për të ishte goli i 13-të i sezonit.
Ndërkohë, Kastriot Selmani në minutën e 62-të, realizoi pas një devijimi të Armend Thaqit.
Skuadra e Ballkanit nga minuta e 77-të mbeti me një futbollist më pak në fushë, pasi direkt me të kuq u ndëshkua qendërmbrojtësi Lumbardh Dellova.
Pas 32 ndeshjeve të luajtura, Ballkani është lider me 70 pikë.
Llapi është në pozitën e katërt me 54 pikë.
Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe katër xhiro për t’u zhvilluar.
Ballkani e siguron titullin matematikisht, nëse e merr vetëm edhe një pikë deri në fund të edicionit.