Shtyhet mbledhja e KQZ-së, Elezi: Me gjithë sfidat, po vazhdojmë përgatitjet për zgjedhjet në veri

Shtyhet mbledhja e KQZ-së, Elezi: Me gjithë sfidat, po vazhdojmë përgatitjet për zgjedhjet në veri

Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e paraparë të mbahet këtë të martë është shtyrë për një ditë më vonë, ka bërë të ditur zëdhënësi i këtij institucioni Valmir Elezi.

Në një deklarim për media, ai tha se anëtarët e KQZ-së kanë konsideruar se iu duhen më shumë informacione lidhur me pikat e rendit të ditës së kësaj mbledhje.

“Mbledhja e paraparë që të mbahet sot është shtyrë për ditën e nesërme pasi anëtarët e KQZ-së konsideruan se do t’u duhen më shumë informacione lidhur me pikat e rendit të ditës që kanë qenë të planifikuara për ditën e sotme”, u shpreh Elezi.

Sa i përket zgjedhjeve që pritet të mbahen në katër komunat në veri të vendit, ai deklaroi se KQZ-ja po vazhdon përgatitjet në kuadër të planifikimeve.

“KQZ-ja në fillim të muajit mars ka miratuar planin operacional dhe të gjitha afatet e aktiviteteve zgjedhore. KQZ-ja po vazhdon përgatitjet në kuadër të këtyre planifikimeve. Kemi parasysh edhe sfidat që e shoqërojnë këtë proces zgjedhor, por si KQZ jemi të përkushtuar që t’i përmbushim detyrat tona kushtetuese dhe ligjore me qëllim të organizimit të këtij procesi zgjedhor”.

I pyetur se a ka kushte për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, Elezi tha se KQZ-ja është institucion që ka për detyrë të përgatis një proces zgjedhor në aspektin teknik.

“Aq sa i takon KQZ-së, ne jemi duke i kryer detyrat tona kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, përfundoi ai.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, janë shpallur për 23 prill, pasi kryetarët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të riregjistrimit të automjeteve nga targat serbe në targa të Kosovës.

Zgjedhjet e paralajmëruara më parë, për 18 dhjetor të vitit të kaluar, u shtynë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Ky është rendi ditës që parashihet të mbahet nesër:

RENDI I DITËS

  1. Hyrje: z.Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së
  • Raportet e Këshillave të KQZ-së
  • Këshilli për Operacione Zgjedhore

– Raport nga KKZ-të në komunat Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan për Qendrat e Votimit

-Njoftim  me vlerësimi e rrezikut për QV-të për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zveqan dhe Zubin Potok.

-Shqyrtimi dhe miratimi i numrit të fletëvotimeve që shtypen për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, si dhe numrit të fletëvotimeve dhe broshurave që shtypen për zgjedhjet e parakohshme për kuvende në Komunat e Zveçanit dhe Leposaviqit

-Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për rritjen e numrit të votuesve për vendvotime për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e Komunave: Zveçan dhe Leposaviq,

-Shqyrtimi dhe miratimi i propozimeve të KVV-të për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar Komune në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan,

-Shqyrtimi dhe miratimi i Analizës se bazës së shenimeve të departamentit të pensioneve,  Ministria e Financave, Punes dhe  Transfereve

  • Këshilli Mbiqkyrës për Informim Publik

         -Shqyrtimi dhe miratimi i Llogos dhe dizajnit të produkteve të IP per zgjedhjet e     jashtëzakonshme për Kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e Komunave: Zveçan dhe Leposaviq

  • Të ndryshme

Related Articles