Me kërkesë të ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është shtyrë seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Sveçla ngarkohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të 2018-ës.
Një gjë e tillë u bë e ditur nga zyra e gjykatësit të rastit Sabit Sadikaj, ku u tha se Sveçla kërkoi shtyrjen e seancës për shkak se gjendet në një udhëtim jashtë vendit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në këto rrethana, seanca u shty për një ditë tjetër.
Bashkë me Sveçlën po akuzohen edhe ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli-Dalipi, ish-deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku. Por, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla mungoi në seancën e 16 janarit 2026, duke njoftuar me e-mail se gjendet jashtë vendit, andaj Gjykata vendosi të veçojë procedurën penale ndaj tij.
Në seancën e 10 prillit 2026, Sveçla u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.
Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.
Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.
Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi/
