Edhe sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, po vazhdon dëshminë, Shukri Buja në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, raporton Gazeta Enigma.
Ai tha për Thaçin se nuk e kishte ditur se është anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.
“Më kujtohet që e kam kontaktuar (Thaçin në maj 1998), por se si e çfarë kemi biseduar është kohë shumë e gjatë”, tha Buja duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit James Pace.
Për çështjen ndaj Fatmir Limajt, sipas prokurorit, dëshmitari kishte thënë që Shtabi i Përgjithshëm e kishte ngarkuar me detyrën që të siguronte vijën e armatimeve, e që kjo kërkesë ishte përcjellë nga Thaçi.
“Realisht e tham më lartë se e kam marrë unë për detyrë, ndërsa në telefon që kam mujt të bisedoj e që nuk po më kujtohet, ka mujt me e konfirmu zoti Thaçi- në rregull është por që nuk ka qenë urdhër”, tha Buja.
“Nuk mund ta konfirmoj se është e saktë se rrethanat në të cilën e kam dhënë këtë dëshmi dhe realisht gjithmonë jemi thirrë në Shtabin e Përgjithshëm, por unë nuk e kam ditë në maj nëse është Hashim Thaçi anëtar i Shtabit të Përgjithshëm apo jo”, shtoi ai.
Sërish prokurori Pace insistoi se pse dëshmitari në çështjen Limaj kishte thënë se këtë detyrë ua kishte ngarkuar Shtabi i Përgjithshëm dhe se ia kishte përcjellë Thaçi.
“Ne kemi supozuar se kush mund të jetë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm edhe nuk e kemi ditë por e kemi supozu se mund të jetë Hashim Thaçi apo dikush tjetër. Kur e kam thënë këtë, e kam thënë në aspektin e supozimit se ka mujt të jetë ai anëtar i Shtabit të Përgjithshëm”, tha Buja.
Dëshmitari theksoi se nuk po i kujtohet saktë se kush ia ka përcjellë këtë detyrë, Thaçi apo vëllai i tij, Agush Buja. Tha se nuk i kujtohet kontakti me Thaçin lidhur me këtë çështje, por që në raste të ndryshme ai tha se ka kontaktuar përveç tij edhe me vëllanë e po ashtu edhe me Azem Sylën.