Ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Nerodimes, Shukri Buja, ka udhëtuar në Hagë me ftesë të detyruar të paraqitjes në Dhomat e Specializuara.
Këtë e bëri të diturv vetë ai përmes një postimi në Facebook, teksa tha se beson në luftën e pastër të bashkëluftëtarëve të UÇK-së.
“Me ftesë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, sot pa dëshirën time, me ftesë të detyruar të paraqitjes, udhëtova për në Hagë”, shkroi Buja.
“UÇK ishte e shenjtë, ishte kundër pushtuesit, falë luftës së saj të armatosur dhe falë përkrahjes së aleateve në veçanti nga SHBA-të ne e gëzojmë lirinë sot. Lufta çlirimtare në Kosovë ishte e imponueshme, e domosdoshme dhe e drejtë, ngaqë ishte e drejtuar kundër një pushtuesi, i cili përpiqej me zjarr dhe hekur të kryente spastrimin e përgjakshëm etnik të Kosovës. Lufta çlirimtare solli lirinë dhe pavarësinë që shumë po e gëzojnë sot, ndërsa bijtë më të mirë të këtij vendi u akuzuan dhe po mbahen padrejtësisht në burg”, u shpreh tutje ish-komandanti.
“Besoj në pafajësinë e bashkëluftëtarëve në Hagë”, përfundoi ai.