Identifikimi i 23 rasteve të lëmoshëkërkuesve dhe inicimi i 15 të tjerëve me dyshimin për keqtrajtim apo braktisje të fëmijës, kanë qenë shifrat e javës së fundit nga operacioni policor që u zhvillua javën e kaluar në gjithë territorin e Kosovës.
Për këtë dukuri u diskutua të hënen në emisionin Info Magazine, ku përgjegjësit prezantuan të dhëna goxha shqetësuese për shfrytëzimin e fëmijëve për të kërkuar lëmoshë.
“Ne kemi marr edhe këtë vit më herët operacione të ngjashme, ku janë 27 kallxime penale që kanë shkuar në prokurori, dhe një rast ka shkuar për trafikim me njerëz”, tha Riza Murati nga Policia e Kosovës.
Sipas drejtorit të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku, përveç pjesëtarëve të komunitetit Ashkali dhe Rom, kohëve të fundit këtu është shtuar edhe numri i fëmijëve shqiptarë dhe i familjeve të tyre.
“Vetëm gjatë këtij viti kemi trajtuar mbi 100 raste, ku vetëm 2-3 janë nga Prishtina e të tjerët vijnë nga komunat tjera, por edhe nga Shqipëria”, tha ai.
Por shoqërimin e kësaj kategorie në polici, po e kundërshton ish-deputeti Veton Berisha që vjen nga Partia Liberale Egjiptiane. Ai këtë kundërshtim e argumenton me mungesën e kujdesit institucional ndaj tyre.
“Edhe në Amerikë ka lypsarë të cilët janë në rrugë. Kjo është dukuri që shihet gjithandej, por ka mungesë të kujdesit institucional”, tha ai. /Gazeta “Enigma”/