Si kishte ndodhur vrasja e trefishtë në Deçan me AK-47 – pse u dërgua një fishek për ekzaminim balistik në Zvicër?

Si kishte ndodhur vrasja e trefishtë në Deçan me AK-47 – pse u dërgua një fishek për ekzaminim balistik në Zvicër?

Për vrasjen e trefishtë në Deçan që pati tronditur Kosovën më 26 nëntor të vitit të kaluar, ende nuk janë intervistuar nga Prokuroria e Pejës dëshmitarët e rastit si dhe nxënësit të cilët kanë qenë në autobus në momentin kritikë për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore, shkruan Gazeta Enigma.

Nga të shtënat me armën A-47 u vranë Gani Gjokajn, Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj, teksa po udhëtonin me autobus nëpër fshatin Gllogjan, derisa të dyshuar për këtë vrasje janë Kreshnik Mehmataj, dy vëllezërit e tij dhe babai.

Sipas kërkesës për paraburgim të Prokurorisë të datës 4 maj të cilën e posedon Gazeta Enigma, janë duke u pritur edhe rezultatet e ekspertizave.

Po ashtu, në këtë dokument thuhet se “duke pasur parasysh rrethanat se Prokuroria me hetues ende gjendet në punë intensive të sigurimit të provave materiale”.

“Ende nuk kemi arritur t’i marrim në pyetje dëshmitarët e rastit, si dhe nxënësit të cilët kanë qenë në autobus në momentin kritikë,  për shkak të pasojave shëndetësore që ka pasur ky rast tek të njëjtit, por edhe shumë dëshmitar tjerë të lajmëruar apo identifikuar (emra të njohur për Gjykatën), sikurse familjar të të pandehurve këtu ndërsa jemi ende në pritje të rezultateve të ekspertizave të ndryshme”, thuhet në kërkesën për paraburgim të Prokurorisë.

Në anën tjetër, Prokuroria e Pejës po i vazhdon hetimet siç thonë ata intensive për ta ndriçuar rastin dhe janë “ndërmarrë hetime kur tre persona janë nën masën e paraburgimit, ndërsa një person është në arrest shtëpiak”.

“Hetimet janë duke u zhvilluar në mënyrë intensive. S’mund të japim informata për shkak se mund ti dëmtojmë hetimet”, ka theksuar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Por si ndodhi vrasja?

Në aktvendimin e organit të akuzës të cilin e posedon Enigma, thuhet se të dyshuarit e fajësonin shoferin e autobusit Gani Gjokajn për vetëvrasjen e motrës së tyre.

Ky i fundit sipas aktvendimin për fillimin e hetimeve bashkë me vëllezërit dhe babanë për hakmarrje e kryen vrasjen e trefishtë.

“I maskuar dhe i pajisur me armë në fjalë del në mes të rrugës i kthyer me shpinë para autobusit që po arrinte dhe me qëllim që të njëjtin që ta detyroj që të ulë shpejtësinë apo ndalojë bën lëvizje sikur të personit të dehur dhe kur shoferi Gani e sinjalizon me drita të gjata dhe ulë shpejtësinë i pandehuri Kreshnik në distancë prej 6 metra kthehet në drejtim të autobusit  dhe shtien tri herë në afërsi të krahut të djathtë”.

Çfarë thotë avokati i Kreshnik Mehmetajt?

Avokati Syle Lokaj – ka theksuar për Enigmën se të dyshuarit janë duke qëndruar në paraburgim pas asnjë bazë ligjore, por e pranon se klientit të tij i janë gjetur në shtëpi një sasi e fishekëve të armës A-K 47, “ju ka gjet një armë që iu ka konfiskuar, këto janë marr si dëshmi”.

“Në veturën e të dyshuarit Kreshnik është gjet një plumb i të njëjtës armë i pa shkrepur, është dyshimi se gjoja është pjesë e këtyre provave tjera që janë gjet në vend të ngjarjes. Është bërë ekspertiza në Prishtinë edhe ata nuk kanë mundur ta konstatojnë se a është fisheku dhe gëzhoja a janë përdor në rastin për çka dyshohen. Jemi të informuar jo zyrtarisht se është bërë kërkesa që të bëhet ekzaminimi balistik me sa e di unë Zvicër”.

Po ashtu, avokati e ka mohuar se klienti i tij e ka kryer këtë vrasje aq më pak për hakmarrje siç pretendon Prokuroria.

Të dyshuarit për këtë vrasje në rast se shpallen fajtor nga Gjykata, mund të dënohen jo më pak se 10 vite burgim.

20 mijë euro për informatorët nga shteti

Qeveria e Kosovës ka ofruar shpërblim prej 20 mijë euro për qytetarët që me informacionet e tyre mundësojnë arrestimin e autorit të vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit.

Përmes një njoftimi nga zyra e kryeministrit, thuhet se për identifikimin sa më të shpejt të kryerësit/ësve të këtij akti kriminal, Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia kërkojnë ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për zbardhjen e rastit.

“Apelojmë te qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit ta ndihmojnë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti dhe për këtë ofrojmë një shpërblim prej 20 mijë euro për cilindo qytetar i cili mund të jep informacione të cilat shpijnë në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti”, thuhej në njoftim. /Gazeta Enigma/

Related Articles