Si ndikon dhuna në familje tek fëmijët, psikologu Kastrati flet për Gazetën “Enigma”

Si ndikon dhuna në familje tek fëmijët, psikologu Kastrati flet për Gazetën “Enigma”

Si ndikon dhuna në familje tek fëmijët, cilët janë shkaktarët që e nxisin dhunën, dhe cilat mund të jenë pasojat në të ardhmen, për këto e shumëçka tjetër rreth dhunës, ka folur në një intervistë, psikologu kosovar, Rron Kastrati, shkruan Gazeta “Enigma”.

Ai për Gazetën “Enigma”, ka thënë se rastet e dhunës në familje po shkatërrojnë shëndetin publik në përgjithësi. “Ky fenomen destruktiv  po e destablizon shëndetin publik në përgjithësi dhe duke i marrë parasysh mekanizmat institucional roli i Psikologut dhe ofrimi i shërbimeve psikologjike është nevoja imediate për zvogëlimin e rrezikut, rehabilitimin e situatave dhe përjetimeve traumatike, anksioze e depresive gradualisht deri në shpërbërjen e  dhunës në familje  referuar mundësive të profesionalizuara terapeutike, sesioneve, dhe kordinimit të pashkëputur bashkëpunues me institucionet relevante të vendit”, ka thënë ai.

Gazeta Enigma: Çka është dhuna në familje?

Kastrati: Dhuna në familje cenon drejtpërdrejt integritetin e mirëqenies tonë të jetës dhe shfaqet përmes tendencave dhe shkaktimit të lëndimeve fizike, psikologjike dhe mund të prekë ndjeshmërisht secilin të çdo moshe, gjinie, race apo orientimi seksual. Mund të përfshijë sjellje që kanë pikësynim të shkaktojnë trembje, dëmtojnë fizikisht ose të kontrollojnë një partner, apo anëtar të familjes.

Gazeta Enigma: Si ndikon ky fenomen në shëndetin publik?

Kastrati: Ky fenomen destruktiv  po e destablizon shëndetin publik në përgjithësi dhe duke i marrë parasysh mekanizmat institucional roli i Psikologut dhe ofrimi i shërbimeve psikologjike është nevoja imediate për zvogëlimin e rrezikut, rehabilitimin e situatave dhe përjetimeve traumatike, anksioze e depresive gradualisht deri në shpërbërjen e  dhunës në familje  referuar mundësive të profesionalizuara terapeutike, sesioneve, dhe kordinimit të pashkëputur bashkëpunues me institucionet relevante të vendit.

Gazeta Enigma: Si ndikon dhuna në familje tek fëmijët?

Kastrati: Shumë fëmijë të ekspozuar ndaj dhunës në familje mund të jenë gjithashtu viktima të abuzimit fizik, emocional, dhe psikologjik,  fëmijët që mund të jenë të përfshirë në skena të përjetuara të dhunës në familje ose janë vetë viktima të abuzimit ose mund të jenë në rrezik serioz për probleme afatgjata të shëndetit fizik dhe mendor.Dhuna dhe abuzimi në familje dëmton vetëvlerësimin e fëmijëve, ndërprejnë pjesëmarrjen në aktivitetet e shkollës, mund të kenë rënie në mësime, të ndjehen inferior, asocial, dhe të shmangur nga raportet shoqërore, poashtu fëmijët në nivelin fizik gjithashtu mund të kenë shumë dhimbje koke dhe dhimbje barku.

Gazeta Enigma: Si ndikon dhuna në familje tek adoleshentët?

Kastrati:
Adoleshentët  që janë të ekspozuar në përjetimet e dhunës në familje  mund të veprojnë në mënyra negative, të tilla si reagimet agresive me anëtarët e familjes ose braktisja e shkollës. Ata gjithashtu mund të përfshihen në sjellje të rrezikshme, të tilla si kryerja e marrëdhënieve seksuale të pambrojtura dhe përdorimi i alkoolit ose drogës, njëkohësisht mund të kenë vetëbesim të ulët dhe probleme të theksuara socio-emocionale.

Gazeta Enigma: Cilat janë disa nga problemet e tjera që mund të kemi shkaku i dhunës në familje?

Kastrati: Dhuna në familje prodhon edhe shqetësime tjera simptomatologjike si mungesa e interesit për aktivitetet, kur viktimat e dhunës në familje tërhiqen nga aktivitete që i jepnin kënaqësi më herët, aktivitete që mund të kenë qenë të lidhura me punën me marrëdhëniet shoqërore, sepse duke i përllogaritur shkallët e përjetimit të traumës mund të jetë e tillë që mund ta detyroj individin që të shkëputet nga puna, dhe nuk janë të pakta rastet kur trauma pasohet nga konfliktet në marrëdhënie bashkëshortore, të cilat pas dhunës në familje mund të shkaktojnë edhe divorc.

Gazeta Enigma: Cilat janë problemet më të mëdha në periudhën menjëherë pas traumës ?

Kastrati: Së fundmi për ta artikuluar një përmbledhje të hollësishme, konkrete dhe të qartë të problemeve dhe pasojave që  dhuna në familje i shkakton në nivele të larta rreziku janë edhe vështirësitë në përqëndrim, kur një  viktimë e dhunës në familje ka ankesa të përqëndrimit, të cilat janë më të mëdha në periudhën menjëherë pas traumës.  Në esencë problemet e dhunës në familje përqendrohen tek ashpërsia, kohëzgjatja dhe afërsia e viktimës me ngjarjen traumatike që po ashtu janë faktorët e rëndësishëm që e ndihmojnë shqetësimin traumatik.

Fyerjet, kërcënimet, abuzimi emocional dhe detyrimi seksual të gjitha përbëjnë dhunë në familje. Disa keqbërës mund të përdorin fëmijët, kafshët shtëpiake ose anëtarët e tjerë të familjes si një ndikim emocional për të detyruar viktimën e tyre të bëjë atë që ata duan.

Gazeta Enigma: Si mund të ndihmojnë psikologët në rastet e dhunës në familje?

Kastrati: Ne Psikologët jemi të gatshëm t’i ofrojmë shërbimet psikologjike derisa problemet e këtyre natyrave shqetësuese mund të rehabilitohen përmes shumë dobive terapeutike si përgatitjes, menaxhimit psikoemocional, përballimit me ndjesinë e të qënurit i pushtuar nga mendimet negative dhe frikësuese, përforcimi psikologjik (konsistenca),  duke u përshtatur vlerësimeve sistematike për mundësinë e ndodhjes së ngjarjeve negative, ta menaxhojë frikën që e pushton dhe sjelljen shmangëse, ta kontrollojë vetëkriticizimin dhe nënvlerësimin,  të përfshihen në ngjarjen frikësuese, ta përforcojë  vetën për të realizuar qëllimet./Gazeta Enigma/

‘’Zgjidhjet nuk shfaqen ato ekzistojnë, ne mjafton t’i hapim perdet e syve tanë që të frymëzohemi nga shanset e panumërta të zgjidhjeve nga Krijuesit suprem për të gjitha të ‘’pamundshmet’’ të cilat si të mundshme janë reale dhe shpresë jete.’’ Rr.K.

Related Articles