Elmi Zeka është rrëfyer ekskluzivisht për emisionin “Frontal” në T7 për sulmin e parë ndaj familjes Jashari në Prekaz para 30 vitesh.
Ai tha se atë ditë ka pasur krisma të mëdha të armëve që janë dëgjuar nga Prekazi
“Kam dëgjuar një numër shumë të madh të krismave, autoblindat dhe rrethimi që i ishte bërë familjes Jashari pa e ditur se kush po rezistonte. Menjëherë më ka shkuar mendja tek Prekazi legjendar, tek Prekazi i Ahmet Delisë, Tahiri Mehës dhe unë si i ri sapo i dal nga burgu kemi arritur që të shpëtojmë një njeri që ishte i rrethuar”, deklaroi ai.
Zeka tregoi se si mori rrugën për Prekaz dhe se kur arriti atje pa forca të shumta serbe policore. Atë ditë ai e përshkruan si të acartë dhe pa qarkullim të shumtë të njerëzve.
“Unë jam nisur drejt Prekazit, ashtu siç kam qenë vet me duarthatë. Ka pas shumë pak njerëz në Skenderaj. Ishte ditë e hënë, shumë e acartë, temperaturat ishin diku minus 10 ose 12. Kur kam marrë drejtimin e Prekazit kam parë forca të shumta të policisë dhe jam kthyer prapa e kam marrë një taksi dhe i thashë qomë ku unë të them. I thash mem qu deri në Polac. Atje ishin dy aktivistë që sapo ishin lëshuar nga burgu, Gani Koci dhe gjithashtu Sejdi Koci”, ka thënë ai.
E për t’i dal në ndihmë familjes Jashari, Zeka tha se ka kërkuar edhe ndihmë. Ai pohoi se atëherë nuk e ka njohur familjen Jashari për shkak se ishte në burg.
“Taksi më la aty. Familjarët e Gani Kocit më thanë që ai ka shkuar në Prekaz dhe mua mu desh të kthehem sërish. Shkova i pashë disa gra që dolën nga lagja e Jasharajve i pyeta se a keni vend ku të shkoni dhe të strehoheni dhe se kush çfarë po ju bën. Unë nuk i njihja familjen Jashari sepse sapo isha lëshuar nga burgu. Ato gratë kanë thënë kemi familjarë në Skenderaj por rrethimi është bërë në shtëpinë e axhës Shaban. Vetëm kjo fjalë mu ka kujtu”, ka thënë ai.
Zeka foli edhe për takimin me Gani Gecin atë ditë. Ai deklaroi se Geci ishte i armatosur dhe se bashkë me të dhe Sejdi Kocin janë munduar që të bëjnë zgjidhje për t’i dalë në ndihmë familjes Jashari.
“U ktheva në Polac dje i takova dy persona. Sejdi Kocin që ishte sekretar i LDK-së dhe Gani Gecin. Ganiu ka qenë i armatosur, e ka pasur një pushkë në dorë. Ishte një familje që luftonin kundër forcave serbe dhe se rrethimi ishte shumë i madh. Unë propozova që të bllokohet rruga por Sejdiu më tha se nuk bënë sepse fillon sulmi edhe në fshatrat e tjera”, deklaroi ai në “Frontal”.
Ai foli edhe për shkuarjen në Prekaz për të parë se si është situata me persona të tjerë.
“Për Prekaz jemi nisur unë, Jakup Krasniqi, Ramiz Lladrovci dhe Izet Bekolli. Ramizi e njihte Adem Jasharin. Ne nga rrugët dytësore do të shkonim me e pa situatën si është. Shokët që mbetën këtu me i mobilizu popullatën. Ne u nisëm për Prekaz nga ana e Qirezit dhe kemi shkuar në drejtim të malit ku është bunkeri që e ka pasur Adem Jashari si mburojë”, tha ai.
Ata më pas kishin dal nga rrethimi dhe ishin strehuar në odën e Gani Kocit. Zeka kujton se atje ishin të paktën 50 persona.
“Këta kishin dalë jashtë rrethimit dhe i shihnim personat e familjes që i kishin qit në oborr. Forcat serbe i kishin qit në oborr kur e kishin bërë kontrollimin. Vie Fehmi Koci dhe na njoftoi se njerëzit kanë dal nga rrethimi. Ai na tha se ata janë të ne se janë në shtëpinë e Gani Kocit. Kemi shkuar në odën e Gani Kocit dhe kur kemi shkuar atje kanë qenë të paktën mbi 50 persona në odë. Mund t’i identifikojë tre prej tyre për momentin. Ishte Rifat Jashari, Adem Jashari, Hamza, Ilaz Kodra, Sahit Jashari, Fadil Kodra, Musa Jashari, Jakup Nura dhe aktivistët që vazhdimisht vinin”, ka thënë ai.