Si nënkontraktues të Kinës në Serbi, Radoiçiq dhe Veselinoviq ndërtuan rrugë duke fituar miliona euro

Si nënkontraktues të Kinës në Serbi, Radoiçiq dhe Veselinoviq ndërtuan rrugë duke fituar miliona euro

Në afërsi të atyre qyteteve, në pjesë të ndryshme të Serbisë, dhjetëra kilometra rrugë po ndërtohen nga kompanitë kineze, në bazë të kontratës së drejtpërdrejtë me shtetin. Në kantieret e ndërtimit janë makinat e kompanive serbe, të cilat ndërlidhen me të njëjtët njerëz – Millan Radoiçiq dhe Zvonko Vesellinoviq.

Të dy ata janë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe krim të organizuar ndërkombëtar.

Autoritetet e Kosovës i lidhin ata me aktivitete kriminale.

Mirëpo Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk i njeh as akuzat e autoriteteve kosovare. Beogradi zyrtar ka vendosur gjithashtu që të mos zbatojë sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, sepse nuk ka obligime ndërkombëtare për një gjë të tillë.

Në publikun serb, Radoiçiq dhe Vesellinoviq prezantohen si partnerë afaristë, biznesmenë me prejardhje nga Kosova.

Radoiçiq është edhe nënkryetar i Listës Serbe – parti e serbëve nga Kosova, e cila ka mbështetjen e Qeverisë aktuale në Beograd, që drejtohet nga Partia Progresive Serbe e Alleksandar Vuçiqit.

Ku ndërtuan kompanitë e Veselinoviqit dhe Radoiçiqit?

Radio Evropa e Lirë ka vërtetuar se tri kompani të lidhura me Zvonko Veselinoviqin dhe Millan Radoiçiqin kanë qenë nënkontraktuese në të paktën tri akse rrugore në Serbi, gjatë dy vjetëve të fundit.

E përbashkëta e këtyre tri rrugëve është se kontraktuese janë kompanitë kineze – Shandong dhe CCCC.

Institucionet shtetërore dhanë leje që kompanitë e lidhura me Vesellinoviqin dhe Radoiçiqin të vinin në kantiere, ndërkaq atyre iu dhanë dy punë pas vendosjes së sanksioneve amerikane, në dhjetor të vitit 2021.

Rrugët janë ndërtuar nga kompanitë Inkop nga Qupria dhe Novi Pazar-put (Novi Pazar- rruga), në pronësi të Vesellinoviqit dhe Radoiçiqit, gjatë kohës kur ata ishin shtuar në listën e zezë të SHBA-së.

Në kompaninë e tretë, gurëthyesi Slovac, të dy ata ishin bashkëpronarë.

Kompanitë ishin të angazhuara në ndërtimin e aksit të autostradës Prelina – Pozhega dhe autostradave të shpejta Iverak – Llajkovac dhe Pozharevc – Gollubac.

Numri i kompanive nënkontraktuese është me dhjetëra, por REL-i ka analizuar vetëm operacionet e kompanive të lidhura me Radoiçiqin dhe Vesellinoviqin, sepse ato janë të vetmet nën sanksione të huaja.

Kreditë nga shteti dhe bankat kineze

Forma e afarizmit duket kështu: shteti i punëson kompanitë kineze për ndërtimin e rrugëve në bazë të një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Kinës, punën e kontrakton drejtpërdrejt me to, ndërkaq, për t’u siguruar paratë, huaja merret nga bankat kineze.

Kompanitë kineze, më pas, zgjedhin nënkontraktuesit dhe për angazhimin e tyre u duhet pëlqimi i shtetit – ndërmarrjeve publike të rrugëve dhe Ministrisë së Ndërtimit.

Ndërtimi i tri pjesëve të rrugës, ku së bashku me kompanitë kineze marrin pjesë edhe makinat e Vesellinoviqit dhe Radoiçiqit, Serbisë i kushtoi 950 milionë euro.

Dy kreditë më të mëdha janë marrë nga banka kineze Exim, në vitin 2019 dhe 2021.

Për shkak të huamarrjes dhe marrëdhënieve me Kinën, të cilat në raportet e organizatave ndërkombëtare cilësohen si jotransparente dhe që i lënë hapësirë korrupsionit, Serbia ka qenë edhe cak i kritikave nga Bashkimi Evropian, në të cilin aspiron të bëhet anëtare.

“Parlamenti Evropian përsërit shqetësimin e tij për varësinë në rritje të Serbisë nga investimet kineze dhe vëllimi i kredive… dhe u bën thirrje autoriteteve serbe të përmirësojnë transparencën dhe të forcojnë pajtueshmërinë ligjore për investimet kineze dhe nga regjimet autoritare të huaja”, thuhet në raportin e Parlamentit Evropian, të korrikut të vitit 2022.

Profiti i kompanive të sanksionuara u rrit në mënyrë rekorde

Në dokumentet e analizuara, nuk dihet se sa kanë fituar kompanitë e Veselinoviqit dhe Radoiçiqit nga punët me kompanitë kineze në dy vitet e fundit, gjegjësisht, sa për qind e kontratës u shkon atyre si nënkontraktues.

Raportet financiare të këtyre kompanive për vitin 2022, nuk janë të qasshme në regjistrin ekonomik, por të dhënat e fundit të qasshme tregojnë fitime rekord në baza vjetore.

Kompania e tyre e ndërtimit Inkop nga Quprija fitoi 15.3 milionë euro në vitin 2021. Kjo është gjashtë milionë më shumë se në vitin 2020, kur Inkop shënoi fitim prej 9.2 milionë eurosh.

Gjatë asaj periudhe, Inkop bënte afarizëm me kompanitë kineze të ndërtimit, por këto nuk ishin projektet e tyre të vetme.

Novi Pazar-put ka qenë një filial i Inkop-it që nga janari i vitit 2020, kur Vesellinoviq dhe Radoiçiq e blenë atë.

Me pronarët e rinj, fitimi u rrit mbi 30 herë më shumë. Në fund të vitit 2020, Novi Pazar-put fitoi 5.8 milionë euro, ndërsa në vitin 2019 shuma e fitimeve ishte 179 mijë euro.

Më pas, në fund të vitit 2021, në llogari është regjistruar një bilanc edhe më i madh – fitim prej 10.2 milionë euro.

Përveç bashkëpunimit me kompanitë kineze, gjatë kësaj periudhe, Novi Pazar-put, ka marrë edhe kontrata nga institucionet serbe, për mirëmbajtjen e rrugëve lokale në disa komuna – Novi Pazar, Tutin, Vërnjaçka Banjë, Kralevë.

Related Articles