Gjilani dhe e tërë Kosova janë tronditur sot nga vrasja e trefishtë në mesditë, ndërkohë që një tjetër ka mbetur i plagosur dhe për momentin është në gjendje të rëndë.
Dy nga viktimat janë babë e bir. I treti raportohet të jetë dhëndër i tyre.
E dorasi kryesor dyshohet të jetë Mefail Shkodra. Edhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra, janë shpallur në kërkim si të dyshuar për veprën “Vrasje e rëndë”.
Por si erdhi deri në këtë pikë?
Sipas burimeve të afërta të Insajderit me familjarë të viktimave, Bujar Hoxha, dhëndri i Selami Hasanit e kishte denoncuar në polici Mefail Shkodrën para dy javësh. Ai ishte intervistuar nga prokurorja Habibe Salihu për rastin që ndërlidhet me “fajde” dhe më pas ishte lënë i lirë.
Rreth një jave më parë, Selami Hasani kishte caktuar një takim për sot (e diel) me Mefail Shkodrën dhe dhëndrin e tij, Bujar Hoxhën, me qëllim që të sqaronin situatën e krijuar.
Por, takimi duket se nuk ka shkuar sipas planit dhe ka përfunduar në mënyrë tragjike.
Bujar Hoxha aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë në QKUK, ndërsa babai i tij, Abedin Hoxha, ka ndërruar jetë nga plagët e marra.
I vrarë ka mbetur edhe Edmond Hasani, djali i Selami Hasanit, i cili po ashtu humbi jetën në lokalin ku ndodhi krimi në Gjilan.
Deri më tani, vetëm një person është arrestuar në vendngjarje.