Qytetarët e Kosovës, nga data 5 nëntor, mund të vaksinohen kundër koronavirusit pa caktuar termin paraprakisht.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi të enjten se “qytetarët mund të vaksinohen në secilën qendër të vaksinimit kudo në Kosovë, pavarësisht se cilës komunë i takojnë me vendbanim”.
Deri më tash, ata është dashur të caktojnë terminin në platformën online eKosova, për t’u vaksinuar në komunën ku banojnë.
Por ku qëndron Kosova me vaksinim të plotë në raport me shtetet tjera nga Evropa dhe Azia.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara, Evropa e Lirë raporton se Kosova që deri më tani me dy doza ka vaksinuar 41% të popullatës, qëndron mirë në raport me shtetet e Ballkanit, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Pos Shqipërisë që nuk kanë mundur të sigurohen të dhëna zyrtare sa i përket vaksinimit, Kosova ka më shumë vaksinime se Mali i Zi, Maqedonia e Veriut apo Bosnja.
Në bazë të dhënave, Malta dhe Portugalia qëndrojnë më së miri në Evropë me nga 81% të popullatës së vaksinuar, derisa Armenia më së keqi me vetëm 7% të popullsisë së imunizuar me dy doza./Gazeta “Enigma”/