Për 12 orë me radhë, nuk dihej asgjë për 37-vjeçarin nga Prishtina, i cili dyshohet se u rrëmbye të dielën në mbrëmje dhe u gjet mëngjesin e së hënës. Motivet e rrëmbimit akoma nuk dihen, por tashmë është konfirmuar se kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar. Sinjali ka mësuar detaje lidhur me rastin dhe dëshminë e viktimës që u kidnapua.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjithçka dyshohet se kishte ndodhur pasditen e së dielës, kur viktima (emër i njohur për redaksinë) u mor me forcë nga tre persona të maskuar, në fshatin Butovc të Prishtinës.
Automjeti me të cilin ishte i riu u gjet i braktisur nga familjarët e tij, të cilët kërkuan ndihmën e Policisë, pasi 37-vjeçari nuk po bëhej i gjallë dhe s’dihej asnjë informacion për vendndodhjen e tij.
Denoncimi i tyre ka aktivizuar Policinë, me ç’rast janë vënë në lëvizje disa njësi policore, që arritën ta gjejnë viktimën pas gati 12 orësh prej kur dyshohej se ishte rrëmbyer nga të dyshuarit, të cilët akoma s’janë identifikuar.
Viktima është dërguar në Emergjencë për të marrë trajtim mjekësor, ndërkohë që më pas para hetuesve policorë ka rrëfyer detajet e asaj që i kishte ndodhur të dielën.
Bazuar në dëshminë e tij, të dyshuarit që e morën me një veturë tjetër kanë qenë të maskuar dhe dyshohet se kanë ekspozuar edhe armë, me qëllim frikësimin e viktimës, të cilin e rrëmbyen për motive që ende s’janë zbuluar.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve për veprën penale ‘Rrëmbim’ dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve që zbardhin në plotni rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarjes.
Ndryshe, rastin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.
“Prishtinë 21.08.2023-18:00. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se është rrëmbyer nga tre të dyshuar të panjohur. Viktima ka pranuar tretmanin mjekësor, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti nën hetime.”
Ndryshe, kushdo që e merr apo e mban personin, me qëllim që mos ta liroj para se të nxjerr para, dobi pasurore apo dobi tjera nga ai apo personi tjetër, ose me qëllim që ta detyroj atë apo personin tjetër që të kryej ose mos të kryej një veprim ose të durojë diçka, dënohet me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet.