Ende nuk dihet se kur pritet të sillen 300 të burgosurit danez të cilët do të vijnë në Kosovë, respektivisht në burgun e Gjilanit për të vuajtur dënimin.
Derisa të vendoset data e saktë e ardhjes së tyre, renovimi i kësaj qendre është pothuajse gati.
Tëvë1 ka dërguar pyetje në Ministrinë e Drejtësisë për detajet e kësaj marrëveshje dhe kur pritet të vijnë të burgosurit danez në Kosovë, por nuk ka marrë përgjigje
Por, për sigurinë në burgje para disa ditëve foli e para e drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo pretendoi që Serbia po organizon arratisjen e të burgosurve nga Kosova dhe kërkoi hetim ndërkombëtar.
Megjithatë, për të burgosurit e Danimarkës, duket që do të ketë siguri të lartë.
Këtë e thotë, ish-drejtori i burgjeve Sokol Zogaj.
Ai thotë se duke qenë se menaxhimi do të bëhet nga danezët, ata e marrin përsipër edhe aspektin e sigurisë.
Zogaj është shprehur optimist për marrëveshjen e burgjeve që nënshkroi Kosova me Danimarkën.
Por sipas Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin për të Mbijetuarit e Torturës implementimi i kësaj marrëveshje në praktikë do të has në vështirësi.
Haliti ka theksuar faktin se brenda burgut do të ketë standarde të dyfishta.
Më 23 maj Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar marrëveshjen për t’ia lëshuar me qira Danimarkës një burg në Gjilan, në të cilin pritet t’i kryejnë dënimet rreth 300 të burgosur danezë.