Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo ka folur në konferencën për media para miqësores ndaj Kilit, duke e vlerësuar ekipin kilian në maksimum.
Ndër të tjera, trajneri kuqezi foli edhe për mundësinë nëse Broja dhe Manaj mund të luajnë bashkë, ndërsa theksoi se ky është momenti më i mirë për të parë të gjithë lojtarët, jo vetëm në stërvitje, por edhe në ndeshjet ndaj Kilit e Suedisë.
“Nesër do të ketë një stadium plot me tifozë shqiptarë dhe do të jetë një ndeshje shumë e bukur. Aktualisht ne nuk po mendojmë për “Euro 2024”, na pret puna. Lojtarët flasin vetëm për dy ndeshjet miqësore me Klin dhe Suedinë, dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe të vështira. Ne e kemi thënë shpesh që nuk ka miqësore, të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Kemi sfidën me Kilin që ka emra të rëndësishëm në skuadër si Alexis Sanchez, Diaz, Vargas apo Perez që është një lojtar i ri. Mos të harrojmë që Kili është një skuadër që ka marrë pjesë 9 herë më finalet e Botërorit dhe ka kaluar 3 herë në fazën çerekfinale. Është skuadër që është mësuar të luajë me ekipe të mëdha si Brazili, Italia, Anglia. Për mua si amerikano-latin kjo ndeshje është e veçantë dhe sigurisht do të jetë një ndjesi e bukur, po me Shqipërinë është diçka ndryshe”, u shpreh Silvinjo.
Trajneri brazilian u pyet edhe nëse Rey Manaj dhe Armando Broja mund të luajnë së bashku.
“Ky është një moment shumë i veçantë, qoftë për ne si staf, por edhe për lojtarët. Manaj dhe Hoxha vijnë për herë të parë në grumbullim me këtë staf në kombëtare. Broja vjen për herë të dytë, pavarësisht se herën e parë nuk kemi pasur mundësinë ta shohim plotësisht. Edhe Muçollin nuk e kemi testuar si duhet dhe edhe ai mund të quhet një prurje deri diku e re. Kemi thirrur edhe portierin Alen Sherri duke qenë se Berisha ka pasur probleme. Në futboll mund të ndodhë gjithçka dhe mund të luash në çdo lloj mënyre. Nuk mund të thuash kurrë në futboll që kjo nuk mund të ndodhë. Gjithçka mund të ndodhë në futboll. Përgjigjja ime direkte është PO. Manaj dhe Broja janë dy lojtarë që mund të luajnë në një formacion, sepse kanë karakteristika të ndryshme”, shtoi ai.
Silvinjo theksoi se akoma nuk e ka menduar listën e lojtarëve që do të jenë në Evropian.
“Ky është momenti për të menduar për Kilin dhe Suedinë, jo për Europianin. Jo vetëm unë por edhe stafi teknik, Federata të gjithë jemi të fokusuar vetëm në këto dy ndeshje miqësore dhe nuk jemi duke menduar aspak për finalet e Europianit. Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme që unë nuk i konsideroj si miqësore. Luajmë me Kilin dhe Suedinë skuadra shumë të forta dhe vijnë në këto ndeshje me dy trajnerë të rinj që kanë uri dhe pritshmëri. Është moment i mirë për të vlerësuar lojtarët për t’i vëzhguar jo vetëm në ndeshje por edhe në stërvitje, për të bërë zgjidhjet më të mira dhe të kuptojmë si është situata e gjithsecilit. Këtë herë mungon Muja, Gjasula, Daku, lojtarë shumë të mirë që kanë dhënë kontribut shumë të madh. Nuk janë këtë herë, por nuk do të thotë që nuk do të jenë pjesë e skuadrës në të ardhmen, janë gjithmonë aty. Në këtë çast nuk mendoj fare për listën e Europianit”, tha trajneri brazilian.