Ish-deputeti, Igor Simiq deklaroi se emisarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak sot ia përcollën shqetësimet e tyre, me të cilat, siç tha ai, ballafaqohen qytetarët serbë.
Simiq u shpreh se Lista Serbe do të publikojë një komunikatë për media.
“Sapo patëm një takim me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, pritni në minutat e ardhshme komunikatën që do ta bëjë Lista Serbe, i kemi përcjell të gjitha problemet, me të cilat serbët po përballen në Kosovë”, tha ai.
Nga Lista Serbe, përveç Simiqit, në takim me Lajçakun morën pjesë Milan Radojeviq, ish-kryetar i Mitrovicës, Dragisha Milloviq, ish-kryetar i Zveçanit, Serxhan Vulloviq, ish-kryetar i Zubin Potokut, Ivan Todosijeviq, ish-deputet dhe Igor Simiq, ish-deputet.
Emisari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak qëndroi në veri të Mitrovicës pas takimit që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës dhe pas atij me kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamza.