Sinani: Pozitive që Kurti na përmendi në Bruksel – Lugina të mos instrumentalizohet nga kryeqendrat

Sinani: Pozitive që Kurti na përmendi në Bruksel – Lugina të mos instrumentalizohet nga kryeqendrat

Çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës duhet hapur në Bruksel nga Qeveria e Kosovës.

Kështu mendon Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila në këtë pozitë ka ardhur pak muaj më parë.

Ajo ka thënë se përmendja që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri në Bruksel në takimin me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është një hap pozitiv.

Në procesin e bisedimeve, ajo është shprehur se duhet të përfshihen edhe përfaqësuesit nga Lugina.

“Duhet pasur kujdes që Lugina e Preshevës të mos instrumentalizohet për interesa të kryeqendrave të ndryshme. E rrezikshme është ideja të vendoset fati politik i Luginës pa përfshirjen dhe pa vullnetin e qytetarëve të Luginës”, ka thënë Sinani.

“Pikërisht që mos të ndodhin zgjidhje të tilla të njëanshme e asimetrike që thellojnë krizën dhe konfliktin duhet të përfshihet Lugina e Preshevës. Është kundërproduktive të synohet paqe e qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë pa përfshirjen e Luginës së Preshevës”.

Duke komentuar kërkesën e Serbisë për themelim të asociacionit të komunave serbe, Sinani ka theksuar se nëse në tavolinë shtrohen çështje për ndonjë autonomi politike apo territoriale, aty duhet përfshirë edhe tri komunat shqiptare që ndodhen në Serbi.

Sinani ka folur edhe për ndihmat që u kanë shkuar nga Kosova dhe Shqipëria dhe në këtë pikë ka kërkuar angazhim më të madh.

INTERVISTA E PLOTË:

Janë bërë dy muaj që prej zgjedhjes suaj në pozitën e Kryetares së Preshevës. Cila është gjendja në të cilën e keni gjetur këtë institucion dhe cilat janë objektivat tuaja për këtë mandat?

Ardita Sinani: E kemi gjetur gjendjen edhe më keq se që e kemi menduar. Degradimi i Komunës së Preshevës është së pari rezultat i diskriminimit shtetëror të Serbisë, por edhe i keqqeverisjeve lokale, sidomos të ish-kryetarit Shqiprim Arifi, si pushtet i nënshtruar dhe i varur nga regjimi autoritar dhe nacionalist i Aleksandër Vuçiqit. Me konsolidimin e qeverisjes së re lokale, kemi angazhuar revizor profesional dhe të pavarur, për të shqyrtuar sesi janë shpenzuar mjetet e buxhetit publik nga qeverisja paraprake.

Është me rëndësi t’i qartësojmë dyshimet e shumta për korrupsion dhe keqpërdorime të parave të taksapaguesve tanë. Nga ato që kemi parë deri tash, ka shumë vend për hetime. Njëkohësisht kemi filluar ndërtimin e qeverisjes transparente, profesionale dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve. Besimi në qeverisjen tonë reformatore po dëshmohet edhe nga gatishmëria e partnerëve vendorë, rajonalë dhe ndërkombëtarë për të mbështetur projektet tona zhvillimore në fushat e ndryshme.

Kemi ndërmarrë tashmë edhe veprim konkrete për realizimin e zotimeve të fushatës sonë parazgjedhore në sektorët e biznesit, bujqësisë dhe blegtorisë, digjitalizimit të administratës, çështjen e zgjidhjes së ujit të pijshëm dhe menaxhimit të mbeturinave, si dhe zhvillimin e hapësirave publike.

Cila është situata me pandeminë e COVID-19 në Preshevë dhe cila është përqindja e popullsisë së vaksinuar?

Ardita Sinani: Si kudo, pasojat e pandemisë janë ndjerë edhe më keq në zonat me ekonomi dhe shëndetësi më të pazhvilluar, siç është Komuna e Preshevës. Gjatë tërë kësaj periudhe, patëm shumë të infektuar, ku një pjesë e rëndësishme e tyre u detyruan të vendosen në spitalet e rajonit. Fatmirësisht, procesi i vaksinimit është në përfundim e sipër edhe në komunën e Preshevës.

Ditë më parë keni qëndruar në Kosovë për vizitë zyrtare ku keni takuar drejtues institucionalë. Cili ishte qëllimi i vizitës suaj?

Ardita Sinani: Takimet kanë qenë kryesisht në funksion të nxitjes së trajtimit institucional të Luginës së Preshevës. Kjo qasje institucionale dhe shtetërore është me rëndësi sepse do t’i jepte fund veprimeve ad hoc dhe të lidhura mbi njohje personale ose preferenca partiake, siç ka ndodhur në të kaluarën.

Momentin që ndërtohen mekanizmat institucionale dhe vijat buxhetore nga Republika e Kosovës, atëherë edhe më lehtë bashkërisht mund të hartohen e zbatohen planet dhe programet mbi prioritetet e përbashkëta politike, ekonomike dhe shoqërore.

Si e vlerësoni ndihmën prej 100 mijë euro që Qeveria e Kosovës bëri për Komunën e Preshevës?

Ardita Sinani: Është ndihmë e rëndësishme në situatë emergjente. Jam tejet falënderuese si për Qeverinë e Republikës së Kosovës, ashtu edhe për Bashkinë e Tiranës dhe Komunën e Prishtinës, të cilat ndihmuan komunën tonë në këtë situatë, aq më tepër që Qeveria republikane shtetërore, ajo e Serbisë, nuk ndau asnjë ndihmë për shtetasit e saj, duke dëshmuar sërish se nuk e trajton Preshevën dhe qytetarët e saj, si pjesë që kërkon përkujdesje të shtetit, madje as në fatkeqësi natyrore.

Qeveria e Kosovës edhe në të kaluarën na ndarë mjete nga buxheti i saj për tri komunat e Luginës. A duhet një gjë të tillë ta bëjë edhe Shqipëria, sipas juve?

Ardita Sinani: Ka pasur disa iniciativa nga Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, si Fondi për Luginën nga takimi i dy qeverive që është themeluar më 2016 i cili nuk u funksionalizua prej atëherë. Pastaj Qeveria Haradinaj dhe Kurti 1 ndan disa mjete financiare për Luginën dhe Qeveria Hoti themeloi zyrën qeveritare për Luginën. Njëjtë edhe Qeveria e fundit e Ramës ka ndarë disa mjete dhe ka qenë aktive sidomos në inkurajimin e koalicionit gjithëshqiptar në Bujanoc dhe për krijimin e listës së përbashkët për zgjedhje parlamentare. Mirëpo mungon ende një qasje më serioze shtetërore.

Por, Lugina e Preshevës duhet të ketë trajtim institucional në bazë të një strategjie të përbashkët shtetërore ose idealisht ndërshtetërore nga autoritetet e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare, për shkak të gjendjes së rëndë së Luginës së Preshevës, por edhe për shkak të proceseve politike që priten të zhvillohen lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, bashkëpunimit rajonal dhe integrimeve europiane.

Unë pres nga Qeveritë Kurti dhe Rama qasje institucionale dhe shtetërore.

Kur Serbia ka organ të posaçëm qeveritar për Luginën e Preshevës apo madje edhe për Kosovën, pse mos ta kenë edhe Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë për Luginën e Preshevës?

Përfshirja e Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë-Serbi është kërkuar nga aktorë të ndryshëm. Ç’mendim keni ju për këtë çështje?

Ardita Sinani: Së pari është pozitive që Kryeministri Kurti ka ngritur çështjen e shqiptarëve të Serbisë (bashkë me atë të boshnjakëve) në tavolinën e dialogut në Bruksel me Vuçiqin, si dhe ka shpërfaqur asimetrinë në të drejta midis shqiptarëve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës.

Ne jemi të vetëdijshëm se nuk e përcaktojmë agjendën, formatin dhe përbërjen e delegacioneve në dialogun Kosovë-Serbi. Por është me rëndësi që si përfaqësues legjitim të Luginës të jemi të përfshirë direkt ose indirekt në çdo gjë që negociohet mbi Luginën e Preshevës. Duhet pasur kujdes që Lugina e Preshevës të mos instrumentalizohet për interesa të kryeqendrave të ndryshme. E rrezikshme është ideja të vendoset fati politik i Luginës pa përfshirjen dhe pa vullnetin e qytetarëve të Luginës.

Pikërisht që mos të ndodhin zgjidhje të tilla të njëanshme e asimetrike që thellojnë krizën dhe konfliktin duhet të përfshihet Lugina e Preshevës. Është kundërproduktive të synohet paqe e qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë pa përfshirjen e Luginës së Preshevës.

Ndonëse në negociatat për çlirimin e Kosovës në Rambuje dhe në ato të Vjenës për pavarësinë e Kosovës, disi arsyetohej mungesa e çështjes së Luginës nga ana e palëve të përfshira dhe nga ndërmjetësuesit, në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve dhe për njohje reciproke Kosovë-Serbi nuk ka kuptim të mungojë çështja e Luginës së Preshevës. Nuk ka kuptim që të flitet për rirregullimin kushtetues, për organizimin administrativo-territorial, për të drejtat e minoriteteve të Kosovës, e të mos flitet për ato të Serbisë, aq më tepër kur merret parasysh se Serbia edhe sot është shtet shumë më i centralizuar territorialisht e administrativisht, si dhe me Kushtetutë e legjislacion që nuk mundëson të drejta për minoritete dhe zhvillim socio-ekonomik për zonat e margjinalizuara si Lugina e Preshevës.

Sigurisht se nuk presim nga Vuçiqi e Daçiqi që të angazhohen për përfshirjen e çështjes së Luginës së Preshevës në ndonjë marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi në dobi të interesave të Luginës. Këtë e presim para së gjithash nga Qeveria e Republika e Kosovës.

Besoni se Lugina duhet të bashkohet me Kosovës?

Ardita Sinani: Vullneti i shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën i shprehur edhe me Referendumin tonë të vitit 1992 është para së gjithash rezultat i politikave përjashtuese shtetërore të Serbisë e cila po dëshmon se nuk do integrim të shqiptarëve. Beogradi zyrtar duket më e interesuar t`i përjashtojë shqiptarët. Madje, pushteti në Serbi refuzon shqiptarët edhe kur ata konkurrojnë me punuar në institucionet e Serbisë.

Pushteti i Vuçiqit në Serbi nuk pranon shqiptarët lokalë edhe kur ata duan të punësohen në institucione të Serbisë, e në Kosovë fton serbët lokalë të mos pranojnë punësimin në institucione të Kosovës. Madje vetë Presidenti i gjithëpushtetshëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi është ai i cili flet për « Razgraničenje » (ndarje me kufij) midis shqiptarëve dhe serbëve. Por, për ne, prioritet i momentit mbetet përfshirja e çështjes së Luginës në dialogun Kosovë-Serbi.

Si e shihni një kërkesë të Serbisë për një formim të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Nëse do të bëhej kjo, a do ta kërkonit që e njëjta të ndodhë në Serbi, pra të ketë asociacion të komunave shqiptare?

Ardita Sinani: E qartë se Serbia dëshiron gjithandej në rajon entitete të sotme monoetnike serbe për aspiratat e saj të nesërme territoriale. Ideja për një Serbi të Madhe nuk ka vdekur në Beograd. Por për Kosovën vendosin të zgjedhurit e saj. Sidoqoftë, mendoj se duhet të orientohemi drejt ndërtimit të shteteve funksionale. Shpesh përdoret me të drejtë shembulli i Bosnjës si referencë për disfunksionalitet shtetëror. Por nëse e shihni, Serbia mund të jetë më stabile, por nuk është funksionale në kuptimin e zhvillimit të saj demokratik dhe socio-ekonomik. Shtetet ku shkelen të drejtat e grupeve të margjinalizuara dhe ku ka centralizim socio-ekonomik, po dëshmohen se janë pa perspektivë afatgjate.

Si të zgjedhur të Luginës, ne i kemi harmonizuar kërkesat dhe qëndrimet tona për të gjitha skenarët e mundshme. Nëse parimet negociuese janë të drejtat e minoriteteve, atëherë kërkojmë reciprocitet në të drejta me serbët e Kosovës.

Nëse janë modelet e autonomisë politike dhe territoriale, atëherë duhet edhe Lugina e Preshevës të përfshihet në ato modele.

Nëse është ndryshimi/korrigjimi i kufijve, atëherë Lugina e Preshevës duhet të bashkëngjitet si e tërë me Republikën e Kosovës./Gazeta Enigma/

Related Articles