Sinani: Shërbimi i detyrueshëm ushtarak largon të rinjt shqiptar nga Lugina

Sinani: Shërbimi i detyrueshëm ushtarak largon të rinjt shqiptar nga Lugina

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka reaguar pasi shteti i Serbisë ka vendosur që ta bëjë të detyrueshëm shërbimin ushtarak.

Sinani ka thënë se kjo rrezikon paqen dhe sigurinë në rajon, dhe se një gjë e tillë do të detyronte të rinjtë shqiptarë në Luginë që të shpërngulen.

“Rikthimi i shërbimit ushtarak të detyrueshëm do të çojë sërish në shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Djemtë tanë, sapo mbushin 18 vjeç, detyrohen të largohen për të mos shërbyer në një ushtri që nuk i përfaqëson ata, në një shtet që vazhdimisht i diskriminon”, shkroi Sinani në një postim në Facebook.

E para e Preshevës tha se kanë kaluar pothuajse 30 vite që nga shpërbërja e Jugosllavisë, por shqiptarët e Luginës së Preshevës ende mbeten të cenueshëm nga politikat diskriminuese të Beogradit.

“Në vitet e 90-ta, kur regjimi i Millosheviqit synonte shtypjen dhe përndjekjen e shqiptarëve, të rinjtë tanë u detyruan të largoheshin masivisht për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak dhe represionit. Sot, historia rrezikon të përsëritet!” u shpreh ajo.

Sinani tha se Serbia nuk përballet me ndonjë kërcënim nga fqinjët e saj.

“Përkundrazi, ngjarjet e fundit të 24 shtatorit në Banjskë na treguan se, ndërsa flitet për paqe në Bruksel, Serbia planifikon destabilizimin dhe aneksimin e veriut të Kosovës”.

“Kërcënimi i vërtetë për paqen dhe stabilitetin e rajonit vjen pikërisht nga vetë Serbia!”, deklaroi Sinani.

“Rajoni ynë ka nevojë për paqe, zhvillim dhe të ardhme të sigurt për të rinjtë tanë. Por, për fat të keq, Serbia e Vuçiqit vazhdon të tregojë se nuk ka asnjë vullnet për normalizim dhe stabilitet. Shqiptarët e Luginës së Preshevës duan paqe, jo tensione! Rajoni ka nevojë për progres, jo për konflikte të reja!”, përfundoi ajo. /Gazeta Enigma

Related Articles