Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, përmes një reagimi ka deklaruar se është duke u bërë presion ndaj minatorëve që kanë ‘’bindje tjetër’’ dhe që ‘’mendon ndryshe’’ nga menaxhmenti i ndërmarrjes.
Në reagimin e sindikatës është thënë edhe se pasojat e ‘’keqpërdorimeve serioze’’ që kanë krijuar humbje të mëdha financiare, po tentohet që tu barten minatorëve.
‘‘Komisionet disiplinore po veprojnë në mënyrë selektive dhe të njëanshme, nën ndikim dhe direktiva, jo mbi bazë të ligjit, fakteve dhe rregulloreve. Minatorëve po u mohohet e drejta në mbrojtje, në informim të drejtë dhe në trajtim të barabartë në raportet e punës’’, thuhet mes tjerash nga sindikata,
Më tej, nga sindikata thuhet edhe se, institucionet përgjegjëse po heshtin ndërsa Inspektorati i Punës nuk po reagon ndaj shkeljeve të vazhdueshme në marrëdhëniet e punës.
Reagimi i plotë:
Reagim për largimin e vazhdueshëm dhe të padrejtë të minatorëve nga Puna.
Të nderuar minatorë,
të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Shprehim shqetësimin dhe pakënaqësinë tonë të thellë për përndjekjen selektive dhe presionin që po ushtrohet ndaj minatorëve në ditët e fundit, për secilin që ka bindje tjetër dhe mendon ndryshe nga menaxhmenti i ndërmarrjes, në një kohë kur problemet reale në Trepçë vazhdojnë të mbesin pa përgjegjësi dhe pa zgjidhje.
Ndër vite janë evidentuar keqmenaxhime dhe keqpërdorime serioze, me humbje të mëdha financiare, për të cilat askush nga udhëheqja nuk ka dhënë llogari.
Sot, pasojat e këtyre dështimeve po tentohen t’u barten minatorëve, të cilët po trajtohen si fajtorë për gabime që nuk i kanë shkaktuar.
Komisionet disiplinore po veprojnë në mënyrë selektive dhe të njëanshme, nën ndikim dhe direktiva, jo mbi bazë të ligjit, fakteve dhe rregulloreve.
Minatorëve po u mohohet e drejta në mbrojtje, në informim të drejtë dhe në trajtim të barabartë në raportet e punës.
Në këtë situatë, institucionet përgjegjëse po heshtin dhe po vonohen në reagim.
Inspektorati i Punës nuk po reagon ndaj shkeljeve të vazhdueshme në marrëdhëniet e punës. Prokuroria po vonon trajtimin e rasteve të dyshuara për keqpërdorime dhe shkelje ligjore. Gjykatat po zvarrisin procedurat, duke e bërë drejtësinë të vonuar dhe praktikisht të mohuar për minatorin.
Shtrojmë publikisht pyetjen:
Nëse minatori nuk mbrohet nga ligji dhe institucionet, kush e mbron atë?
Po cenohet rëndë e drejta elementare për dinjitet në punë, për siguri, për trajtim njerëzor dhe për drejtësi.
Është më e lehtë të ndërtosh karrierë personale duke mbyllur sytë para padrejtësive sesa të marrësh përgjegjësi për t’i ndrequr ato.
Ne besojmë se drejtësia mund të vonojë, por nuk mund të shuhet. Edhe nëse sot dikush i shmanget përgjegjësisë, nesër ajo do të kërkohet nga ligji, nga shoqëria dhe nga vetë historia.
U bëjmë thirrje minatorëve që të ruajnë qetësinë, unitetin dhe dinjitetin e tyre.
Ne nuk kërkojmë konflikt, por drejtësi. Nuk kërkojmë privilegje, por trajtim të barabartë dhe njerëzor.
Dhe se pavarsisht kostos që padrejtesisht na e faturoni neve si minator, asnjeher nuk do të mund të na nënshtroni dhe të na e ndrroni bindjen.
Sindikata është duke e ndjekur situatën me vëmendje të plotë dhe së shpejti do të ndërmarrë hapa konkretë, bashkë me minatorët, për të kërkuar zgjidhje dhe drejtësi.
Prandaj tani, për të saten herë, i bëjme ftesë publike Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që të zhvilloj hetime serioze dhe të mos rrij duarkryq përball kësaj katrahure dhe përndjekje.
