Në raportin e Zyrës së Auditorit thuhet se 16 raste në Presidencën e Kosovës, pozitat e rregullta të punës mbaheshin me ushtrues detyre më gjatë se afati i paraparë ligjor prej 12 muajve.
Sipas raportit të auditimit për vitin 2023, krahasuar me vitin 2022, numri i pozitave me UD është dyfishuar.
“Kjo situatë ishte ndikuar nga fakti që ZPRK-së është në proces të hartimit të legjislacionit sekondar përfshirë këtu edhe UA për rekrutime, për procesin e sistematizimit e klasifikimit; si dhe faktin e ndryshimit të ligjit për Zyrtarët Publik dhe nevojës për përshtatje të sistemit të SIMBNJ-së për institucionet e pavarura”- thuhet në raportin e auditimit për vitin 2023.
Ligji për Zyrtarët Publikë parasheh që “Zyrtarja/i publik nuk mund të caktohet si ushtruese/i detyre më gjatë se gjashtë (6) muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë (6) mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë (6) muaj të tjerë”.
Sipas Auditorit, kjo ndikon që mbajtja e pozitave me zëvendësues për një kohë më të gjatë, përveç se nuk është në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi, rrezikon që pozitat e ndryshme të mbahen nga persona që nuk i përmbushin kriteret e kërkuara/përcaktuara për pozitat adekuate.
Auditori ka rekomanduar që Sekretari i Përgjithshëm duhet të sigurojë finalizimin e legjislacionit të brendshëm dhe përshtatjes së sistemit të Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNJ) me qëllim të plotësimit të pozitave me staf të rregullt të punës.
Me këtë rekomandim janë pajtuar edhe Zyra e Presidentes.
Në raportin për vitin 2022, Zyra e Auditorit kishte gjetur se në tetë raste Presidenca e Kosovës, pozitat e rregullta të punës i kishte zëvendësuar përmes vendimeve si zëvendësues detyre në pozita të ndryshme e që ushtronin këto detyra për më gjatë se 12 muaj.
Auditori pati thënë se mbajtja e pozitave me zëvendësues më gjatë se afati i paraparë me ligj, janë bërë si rezultat i moskujdesit të duhur nga menaxhmenti i Zyrës së Presidencës (ZRPK).
ZKA kishte rekomanduar që Sekretari i Përgjithshëm të sigurojë të ndërmerren veprime të nevojshme për plotësimin e pozitave (zëvendësimeve) me pozita të rregullta të punës.
Zyra e Auditorit thekson se raporti i auditimit për ZPRK-së për vitin 2022 kishte rezultuar me një rekomandim. ZPRK kishte përgatitur një Plan Veprimi ku paraqitet mënyra se si do t’a zbatojë rekomandimin e dhënë dhe kishte dorëzuar Raportin e Progresit mbi zbatimin e rekomandimeve sipas kërkesave të dalura nga Rregullorja e Punës për zbatimin e auditimit dhe planeve të veprimit. Deri në fund të auditimit për vitin 2023, Auditori thotë se ky rekomandim nuk është zbatuar.
Në raportin e auditimit të vitit 2023, Zyra e Presidentes ka marrë opinion të pamodifikuar. Auditori e jep opinionin e pamodifikuar kur pasqyrat financiare janë në përputhje me standardet.