Komuna e Prishtinës ka ndryshuar rregulloren e ndërmarrjes “Prishtina Parking”.
Sipas vendimit të ri, banorët rezidentë të kryeqytetit nuk do të paguajnë tarifë për veturën e parë.
Megjithatë, këta qytetarë do të duhet të paguajnë një taksë administrative prej 10 euro kur e paraqesin regjistrimin e veturës së parë.
Po ashtu, sipas vendimit të ri, “Prishtina Parking” më nuk do të vërë gjoba për personat që parkohen në hapësirat e menaxhuara nga ndërmarrja, por të njëjtit do të detyrohen të paguajnë biletë ditore.
“Gjobat dhe masat e tjera ndëshkuese tanimë janë zëvendësuar me detyrim për të paguar biletë 24-orëshe, e cila parkuesve të parregullt dhe atyre që nuk paguajnë, u mundëson të parkojnë në mënyrë të rregullt brenda 24-orëve në vijim në të gjitha zonat në kryeqytet”, deklaroi drejtori i Inspektoratit në Prishtinë, Florian Dushi, por nuk saktësoi se sa do të jetë çmimi i kësaj bilete.
Rregullorja e re për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingieve në kryeqytet është aprovuar dje në mbledhjen e Kuvendit të Prishtinës.
Dushi tha se ndryshimi dhe plotësimi i kësaj rregulloreje ka ardhur si rezultat i ankesave dhe kërkesave të shumta të qytetarëve.