U ndalet paga nga Serbia nëse nuk rreshtohen krahë postueseve afër vendkalimeve kufitare të Kosovës në Jarinje dhe Bërnjak.
Ky është kërcënimi i strukturave paralele të Serbisë për serbët e komunave veriore që punojnë në institucione në këtë pjesë të Kosovës.
Kështu ka thënë një zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës, në kushte anonimiteti për Albanian Post.
“Punëtorët e Trepçës në pjesën veriore, ata shëndetësorë, komunalë dhe të gjithë që i marrin nga dy paga të Kosovës dhe Serbisë janë duke i kërcënuar me ndalesën e pagës, nëse nuk dalin në rrugë. Por, se kemi ndonjë shënim të saktë se sa është numri i tyre”, thotë ky zyrtar i lartë.
Sipas tij, “ata po kanë vështirësi të i detyrojnë qytetarët serbë më dalë në rrugë, prandaj po i kërcënojnë dhe shantazhojnë, duke tentuar që gjithë t’i dërgojnë me rend”.
“Në Anamoravë ka tentuar që të mbledhin njerëz për t’i dërguar në Jarinje dhe Bërnjak, por kanë dështuar. Edhe në komunat e tjera u është kërkuar të fillojnë bojkotimin dhe pandegjushmërinë”.
Kurti: Në Jarinje dhe Bërnjak ka persona me veprimtari kriminale dhe pikëpamje ekstremiste
Të shtunën, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në bllokimin e rrugëve që shpijnë në drejtim të vendkalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë duke marrë pjesë persona të dëshmuar me veprimtari kriminale dhe pikëpamje ekstremiste.
Ai në një postim në rrjetin social Facebook ka renditur disa fotografi të personave me të kaluar kriminale e ekstremiste si Vladislav Dajkoviç, i cili është shtetas malazez, i cili ka hyrë në Kosovë dhe është duke motivuar dhe mbështetur serbet në barrikada.
Vladislav Dajkoviç ka edhe nënshtetësi të Serbisë ka theksuar Kurti.
“Njihet për botëkuptimet proserbe e proruse dhe ka marrë pjesë në të gjitha organizimet kundër orientimit perëndimor në Mal të Zi. Ai ka lidhje të ngushta me agjentin propagandues serb, Boris Malagurski, si dhe me propaganduesin francez prorus, Arnaud Gouillon”.
“Dajković, është edhe anëtar i Lëvizjes Imperialiste Ruse (me flamurin e së cilës shihet në foto), që është shpallur organizatë terroriste nga ShBA-të”, ka shkruar ai.
Personi tjetër për të cilin ka publikuar foto është Igor Braunoviç.
Igor Braunoviç ëhtë drejtor i përgjithshëm i “Srbijašume”, lavdërohet publikisht nga zëvendësi i tij Bratislav Dikiç për pjesëmarrje në bllokadën në Jarinje.
Dy pikat kufitare Kosovë-Serbi në veri të Kosovës, po vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara tash e shtatë ditë.
Ndërkaq mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës ka përfunduar në orët e vona të së shtunës, për këtë ka njoftuar Qeveria e Kosovës, por në fakt nuk tregohet asgjë konkrete mbi atë se çfarë është diskutuar.
“Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara për ruajtjen e rendit, sigurisë publike dhe sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, përfundon njoftimi duke mos dhënë hollësi të më tejme për takimin.
Nga 20 shtatori i këtij viti Qeveria e Kosovës ka vendosur zbatimin e masës së reciprocitetit për tagrat e automjeteve të Serbisë të cilat hyjnë në Kosovë.
Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.