Vonesa e borxheve shkakton telashe të shumta mes qytetarëve të cilët kanë raporte të afërta me njëri-tjetrin. Si rrjedhojë e kësaj krisen miqësi e lidhje familjare, e shpesh herë lindin edhe konflikte të cilat pasojnë me kërcënime e konfrontime fizike.
Në një konflikt janë përfshirë së fundi dy persona në Obiliq, ku një i ri dyshohet se ka eskaluar në kërcënime ndaj një 53-vjeçari.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur pas një zënke për një borxh, ku 29-vjeçari përmes telefonit e ka kërcënuar viktimën me djalin e tij, duke i thënë se do e rrah aq keq sa nuk do ta njohë.
I shqetësuar nga fjalët e të dyshuarit, viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke rrëfyer gjithë ngjarjen në detaje.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë dëshminë e tij para organeve të hetuesisë.
Me urdhër të prokurorit, i riu është ndaluar për 48 orë dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.