Tifogrupi ‘Skifterat’ përmes një reagimi në Facebook, e kanë falënderuar Presidentin në dorëheqje të SC Gjilanit, Florim Zukën
“Nuk është një lamtumirë, por vetëm një mirupafshim, sepse njerëzit si t’i nuk mund të largohen asnjëherë nga klubi”, kanë shkruar “Skifterat”.
Tifozët e SC Gjilanit kanë shkruar se pavarësisht të gjithave, “ne të falënderojmë për kontributin e jashtëzakonshëm dhe gjithçka që dhe për këtë klub”.
“Ashtu siç pate mbështetjen e “Skifterave” para dhe gjatë rrugëtimit tënd, të presim për të gjetur alternativën e re, e cila do të vjen në klub dhe do të na mbaj nderin e qytetit, ashtu siç është edhe motoja jonë”.
Përkundër largimin të biznesmenit Zuka, “Skifterat” kanë theksuar se kanë besim në të, “që klubin do të lësh në duar të sigurta dhe nuk do të largohesh pa ndonjë zgjidhje”.
“Faleminderit president Florim Zuka dhe mirupafshim”.
Ndryshe Zuka erdhi në krye të klubit të futbollit SC Gjilani në fillim të vitit 2017.
Synimi i tij ishte i qartë, titulli i kampionit dhe ngritja e klubit në nivel të lartë.
Si rezultat i mospërmbushjes së këtij synimi, Florim Zuka të hënën ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit të klubit të Gjilanit.
Ai ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se pavarësisht organizmit të mirë dhe daljes në Evropë të klubit, titulli nuk u arrit. Zuka udhëhoqi Gjilanin për pesë vjet e gjysmë.