Tifogrupi i SC Gjilanit, “Skifterat”, ka lëshuar një deklaratë të fortë dhe të ashpër kundër gjyqtarit Visar Kastrati, të cilin e akuzojnë për “krim sportiv” dhe sabotim të qëllimshëm ndaj klubit të tyre, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në një reagim të publikuar sot, tifozët gjilanas shprehin indinjatën e tyre për atë që e konsiderojnë si një seri vendimesh skandaloze të Kastratit, të cilat, sipas tyre, kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e ndeshjeve kyçe të Gjilanit.
Reagimi i “Skifterave” vjen pas ndeshjes së fundit kundër Malishevës, ku Kastrati, bashkë me asistentin Ilir Mehmeti, akuzohen për arbitrim të njëanshëm që ka dëmtuar rëndë Gjilanin. Tifozët rikujtojnë gjithashtu finalen e Kupës së Kosovës para dy vitesh, ku vendimet e Kastratit, sipas tyre, u kushtuan një trofe të merituar. “Ky nuk është më arbitrim – është sabotim, është goditje e qëllimshme ndaj klubit tonë, është mision për të na eliminuar,” thuhet në deklaratë.
Akuzat e rënda dhe pyetjet për FIFA-n “Skifterat” ngrenë shqetësime serioze për faktin se si një gjyqtar me një histori të mbushur me polemika vazhdon të mbajë stemën e FIFA-s.
“A është kjo steme përfaqësuese e drejtësisë në futboll, apo është bërë strehë për individë që përfaqësojnë gjithçka përveç ndershmërisë?” pyesin tifozët, duke vënë në dyshim integritetin e institucioneve që mbikëqyrin arbitrimin ndërkombëtar.
Sipas deklaratës, Kastrati dhe bashkëpunëtorët e tij “nuk janë thjesht gjyqtarë të dobët – ata janë pengmarrës të garës”. Tifogrupi shkon më tej, duke i shpallur ata të padëshiruar në Gjilan dhe duke paralajmëruar veprime të organizuara për të kërkuar drejtësi.
“Ne do të trokasim në dyert e UEFA-s dhe FIFA-s, do të dërgojmë ankesa të strukturuara, prova, video e çdo material të nevojshëm që tregon me fakte se ky gjyqtar nuk ka vend as në ligën më të ulët,” thuhet në reagim.
Reagimi i tifozëve vjen në një kohë pasi ata morën lajmet pozitive për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të futbollistit të Gjilanit, Oltion Bilalli, një ngjarje që kishte tërhequr vëmendjen e tyre të plotë deri më tani.