Skuadrat kosovare luajnë të enjten ndeshjet e kthimit

Skuadrat kosovare luajnë të enjten ndeshjet e kthimit

Javën e kaluar Ballkani luajti të martën, ndërsa Drita e Dukagjini të enjten. Këtë javë të tri skuadrat kosovare luajnë të enjten në kuadër të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Madje në termin thuajse të njëjtë.

Për shkak se të gjitha ndeshjet evropiane të skuadrave kosovare zhvillohen në “Fadil Vokrri”, Ballkani luajti të martën e kaluar me Larnen, ndërsa Dukagjini të enjten e priti Rijekën. Ndërkohë Drita ishte mysafire e Viktoria Plzenit.

Këtë javë vetëm Drita është vendase. E pret skuadrën e madhe çeke, Plzen. Ballkani e Dukagjini luajnë në udhëtim.

Ballkani paraqitet në “rrugën e kampionëve”, siç e ka ndarë UEFA, dhe është në situatën më të favorshme. Ka fituar 3:0 në “Fadil Vokrri” dhe udhëton për në Irlandën e Veriut me gjasa shumë të mëdha për avancim. Larne për asnjë moment nuk ishte rival i barabartë i Ballkanit në ndeshjen e parë. Fitorja ka mundur të jetë edhe më e thellë, por rezultati 3:0 thuajse i jep fund çështjes së kualifikimit.

Ndeshja luhet në Belfast nga ora 20:30. Njëjtë si Ballkani, Larne nuk ka stadium të licencuar për ndeshje evropiane dhe detyrohet të luajë në qytet tjetër, përkatësisht në stadiumin “Solitude”.

Prej orës 20:15, të enjten, Dukagjini luan në stadiumin “Rujevica” në Rijekë të Kroacisë. Përballë Dukagjinit do të jetë Rijeka.

Rijeka fitoi 1:0 në “Fadil Vokrri” dhe është favorite e madhe për avancim tutje. Derisa klinasit janë të fokusuar vetëm në ndeshjet evropiane, Rijeka të dielën mbrëma luajti derbin me Hajdukun e Splitit. Në Split pësoi 1:0, në një atmosferë impozante.

“Për ne është vetëm ndeshja e katërt evropiane. Do të luajmë për gjithçka dhe do të presim përfundimin e ndeshjes. Nuk do të shkojmë me flamur të bardhë. Mundësitë që do t’i kemi do të mundohemi t’i shfrytëzojmë maksimalisht”, ka thënë Armend Dallku, trajner i Dukagjinit, para udhëtimit për në Kroaci. Me Dallkun në krye të shtabit teknik, Dukagjini siguroi debutimin evropian dhe tani e ka rastin të luajë në Kroaci.

Prej orës 20:00, të enjten, Drita e pret Viktoria Plzenin. Natyrisht, në “Fadil Vokrri”. Në ndeshjen në Plzen, çekët dominuan plotësisht në fushë. Por nuk realizuan gol dhe ndeshja përfundoi 0:0. Madje në fund Drita kishte rast të artë me Albert Dabiqajn, që gjuajti pranë portës. Plzeni vjet luajti në fazën grupore të Ligës së Kampionëve dhe vazhdon të llogaritet favorit i madh ndaj skuadrës gjilanase. Por rezultati 0:0 në Çeki rrit shpresat te Drita.

“Plzeni është sërish favorit. Por ne kemi gjasat tona dhe do të luftojmë deri në fund për to. Ekziston mundësia”, ka thënë trajneri i Dritës, Akis Vavalis.

Plzeni nuk është në momentin më të mirë. Në xhiron e parë të kampionatit çek kishte pësuar 1:0 nga Teplice. Të dielën mbrëma luajti ndeshjen e dytë. Barazoi 1:1 në shtëpi me Hradec Kralove.

Related Articles